A do të bëhet aksi Elbasan-Tiranë me pagesë? Përgjigjet Balluku!

0
264

Teksa Milot-Fier pritet të jetë me pagesë, në autostradën Tiranë-Elbasan nuk do të vendoset trau! Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku tha në Report Tv se nuk ka asnjë plan që kjo rrugë të bëhet me pagesë, duke rrëzuar kështu paraardhësin e saj që në 2018-ën hodhi idenë që udhëtarët të paguanin, për të mbuluar kështu kostot shtesë të ndërtimit të rrugës që përfundoi plotësisht 4 vite me vonese. “Sa të jem ministër gjithmonë do ta promovoj. Për mendimin tim ka ardhur momenti që përdoruesit e rrugës të kontribuojnë për mirëmbajtjen e rrugës”, ka thënë ish-ministri Damian Gjiknuri në shtator 2018. Idenë e paraardhësit të saj të shumëkundërshtuar nga opozita, e rrëzon ministrja aktuale. Belinda Balluku tha ekskluzivisht në Report Tv, se autostrada Tiranë-Elbasan nuk do të jetë me pagesë për qytetarët.“Kur rrugët janë të njoftuara për pagesë dhe ne e themi paraprakisht. Rruga e Elbasanit nuk është në planet tona me pagesë”, tha Balluku. Rruga që përfundoi në 2019-ën që u vonua me 4 vjet për shkak të shembjeve dhe rrëshqitjeve të dherave, i kapërceu të gjitha parashikimet financiare. 32 kilometrat e këtij aksi i kanë kushtuar buxhetit të shtetit mbi 400 milionë dollarë, nga 300 që ishte parashikuar.