A mund të pleqërohet me dinjitet me pensionet që kemi?

0
44

Për të pleqëruar me dinjitet nesër, ne sot punojmë. Punojmë e paguajmë taksa, tatime, tarifa, komisione, interesa, kamata… dhe pasi të jemi rropatur një jetë të tërë, para se të arrijmë të vdekja, na është premtuar një e drejtë. Pensioni!

“Ne i duam pensionet se kemi punuar shumë. Kemi punuar ku në Kukës, ku në Tepelenë si arsimtare dhe sot minimalen po marrim”, shprehet për A2 një ish-mësuese.

Nisur nga një përllogaritje me bazë përgjigjet e tyre, një çifti pensionistësh i duhen së paku 48 mijë lekë për të përballuar nevojat e një muaji. Nga ana tjetër, po ky çift merr mesatarisht 31 mijë e 464 lekë nëse jeton në qytet. Pra, për të pleqëruar me dinjitet, një çifti të moshuarish i mungojnë së paku 16 563 lekë.

Sipas përcaktimeve të Institutit të Statistikave, një pensionist konsiderohet i varfër nëse ajo që merr në një muaj është më pak se gjysma e pagës mesatare në shkallë vendi. Paga mesatare ka arritur në pak më shumë se 75 000 lekë. Pensioni mesatar është aktualisht 5-fish më i ulët se paga mesatare, duke e klasifikuar pjesën dërrmuese të të moshuarve në normën e varfërisë.

Në mungesë të të ardhurave, kryesisht nga fëmijët dhe të afërmit në Greqi, Itali e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me ata në Gjermani, Francë apo Belgjikë mesatarisht çdo familje shqiptare mori 2 000 euro vitin e shkuar.  Vetëm në gjysmën e parë të vitit, emigrantët u dërguan prindërve të tyre 510 milionë euro, shifra më e madhe ndonjëherë. Një raport i Bankës Botërore tregon se me këto para ata plotësuan rreth 18% të nevojave, si ushqimi apo blerja e ilaçeve.

Kjo është vetëm njëra anë e medaljes, asaj ku problemi u takon pensionistëve. Për qeverinë shqetësimi është edhe më shqetësues. Një në pesë shqiptarë sot është i moshuar. Nga rreth 2,4 milionë qytetarë në total, më shumë se 473 mijë janë mbi 65 vjeç. Kjo ka bërë që raporti i varësisë së të moshuarve që llogarit numrin e personave mbi 65 vjeç me ata në moshë pune të rritet në 30,4% nga 16,7% në vitin 2011. Thënë ndryshe, presioni mbi skemën e pensioneve sot është në nivelin më të lartë ndonjëherë.

Kujtim Hoxha, eksperti i sistemit të pensioneve, shpjegon: “Ka një raport të shtuar mes numrit të popullsisë rezidente dhe përfituesve të skemës së sigurimeve shoqërore e përkthyer në pensione pleqërie, invaliditeti dhe pensione familjare.”

Presion i vjetër, por me forcë të re edhe më të madhe mbi pensionet bëhet edhe më i dukshëm nga ndryshimi i moshës mesatare në pak më shumë se një dekadë. Nga 35,2 vite në 2011, mosha mesatare e popullsisë në vend ka arritur në 42,5 vite.

“Pensionet vijnë si rezultat i grumbullimit të të ardhurave. Dhe duke pasur një numër të kufizuar, kontribuesit dhe përfituesit do të jenë të kufizuar. Kjo në rast se skema nuk mbështet nga buxheti i shtetit”, deklaroi Hoxha.

Normat e ulëta të lindshmërisë dhe trendi në rënie, kombinuar me emigracionin e popullsisë në moshë riprodhuese ka sjellë ngushtimin e bazës së piramidës së popullsisë. Ministria e Financave ka përllogaritur që shpenzimet totale të Sigurimeve Shoqërore për këtë vit do të jenë në nivelin e 169,8 miliardë lekëve nga 159,9 miliardë vitin e shkuar.

“Duhen politika ekonomike e cila duhet të investohet jo vetëm në mbajtjen gjallë të infrastrukturës së qyteteve, por më së shumti në investimin tek familjet e reja për ato çfarë kanë kërkesa të rinjtë dhe të ketë një dinamikë të re tregu i punës”, shpjegon Kujtim Hoxha.

Lindshmëria nën nivelin e zëvendësimit prej vitit 2001, rritja e jetëgjatësisë, si dhe migracioni mbeten faktorët kryesorë të plakjes së popullsisë që sot kërcënon më shumë se kurrë skemën e pensioneve.

Kryeministri Edi Rama shprehej: “Javën e dytë të muajit të ardhshëm ne do të nisim, jo vetëm të ndajmë me pensionistët një pasqyrë të të dhënave dhe të ideve tona për rritjen e pensioneve, në rrugën e Shqipërisë 2030, por do të fillojmë edhe informimin mbi zbatimin e një plani kombëtar për garantimin e sigurimeve shoqërore”.

Me zgjedhjet në prag, kryeministri Rama, ndryshe nga çdo herë tjetër, bëri një premtim të madh për pensionistët në vend në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste që u mbajt në Durrës. Ky plan, për të cilin po punohet prej muajsh nga një grup institucionesh dhe ekspertësh nën drejtimin e MEKI, do të synojë pikërisht përfshirjen e pensionistëve në ndarjen e të ardhurave të rritjes ekonomike, për të shkuar përtej nivelit aktual të bonusit të fundvitit dhe indeksimeve të përvitshme të pensioneve.

Pra, ndryshimeve në skemën e pensioneve do i shtohet edhe një formulë që përkthen më shumë mirëqenie për të moshuarit rritjen ekonomike të vendit. Formula përfshin gjithashtu indeksim të diferencuar, rishikim të moshës së përgjithshme dhe asaj të parakohshme të daljes në pension.

Teuta Nunaj, studiuese e sistemit të pensioneve, thekson: “Dhe jo në këtë rast veç aspektit ekonomik, që tregon se indeksimi dhe bonusi shikohet edhe në aspektin politik. Ata janë të gjithë votues. Unë gjykoj se janë pjekur kushtet që qeveria të lëvizi. Pavarësisht se janë lëvizje shumë të vonuara, pasi kjo forcë politike ka 11 vite në pushtet, gjithsesi mbetet për t’u vlerësuar. Shpresojmë mos mbetet thjesht si deklaratë publike.”

Një tjetër ndryshim që pritet të reflektohet në sistemin e pensioneve nga viti i ardhshëm është ai i zbutjes së hendeqeve mes asaj që pensionistët në fshat dhe qytet kontribuojnë apo që marrin apo që kontribuojnë.

“Ka diferencë në pagesa. Diferencë ka edhe te derdhja e kontributeve shoqërore. Në zonat ruale ka pasur dhe ka shumë informalitet”, shton Nunaj.

Në pritje të nisjes së diskutimeve për “planin kombëtar për sigurimet shoqërore” ekspertë të fushës kanë edhe sugjerime se si skema e pensioneve në vend mund të përmirësohet.

“Dy elementë duhet t’i shtohen me patjetër skemës. I pari është pensioni privat i detyruar. Me rëndësi ka gjithashtu futja e konceptit të pensionit të 13-të”, thekson Nunaj.

Banka Botërore, bashkë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, janë duke ndihmuar Ministrinë e Financave për të rishikuar skemën e pensioneve e cila ndodhet në prag të kolapsit. Lindshmëria nën nivelin e zëvendësimit prej vitit 2001, rritja e jetëgjatësisë, si dhe migracioni mbeten faktorët kryesorë të plakjes së popullsisë që sot kërcënon më shumë se kurrë skemën.

Që skema e pensioneve mos kolapsojë dhe të moshuarit të marrin më tepër para, duket luftuar informaliteti. Nga kongresi i Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama paralajmëroi se kush nuk deklaron pagën e plotë të punonjësit do të trajtohet si “hajdutët e energjisë”. Bizneset dhe institucionet publike nuk po paguajnë detyrimet e sigurimeve për punonjësit e tyre. Nga më shumë se 136 miliardë lekë të planifikuara për t’u mbledhur deri në korrik, nga sigurimet shoqërore u arkëtuan më pak se 80 miliardë lekë. Kjo shumë është sa 59% e planit.

Ramadan Kondi, njohës i sistemit të pensioneve, thotë: “Po të shikojmë që sot paguajnë sigurimet shoqërore vetëm 38% e popullsisë në moshë pune, ky është një koefiçent shumë i ulët”.

Mospagesat nga bizneset dhe institucionet publike shtrihen edhe në drejtim të sigurimeve shëndetësore. Nga më shumë se 20 miliardë lekë të planifikuara për t’u mbledhur deri në korrik, nga sigurimet shëndetësore u arkëtuan rreth 13 miliardë lekë. Kjo shumë është sa 60% e planit.

Ndërkohë, vetëm gjatë vitit të shkuar, detyrimet e tyre ndaj Institutit të Sigurimeve Shoqërore u zgjeruan me 200 milionë lekë. Nga 20,5 miliardë lekë në vitin 2022, gropa e krijuar në skemën e pensioneve nga mospagesa e sigurimeve arriti në 22,5 miliardë lekë fundvitin e shkuar.

“Në vitin 2015, kur u reformua skema e pensioneve, vetë institucionet shtetërore bënë një punë të mirë në luftën ndaj fenomeneve negative, përfshirë informalitetin. Kjo ndikoi në shtimin e ndërgjegjësimit dhe rritjen e kontributeve. Por, dalëngadalë gjithçka u zbut dhe ndaj po ndodh kjo situatë”, u shpreh Kondi.

Ekspertë të ekonomisë vlerësojnë se politika e rritjes së pagave nga qeveria në thelb të saj ka pikërisht derdhjen e më shumë kontributeve, për të mos lejuar skemën të shkojë në kolaps. Por, zgjerimi i detyrimeve ndaj saj nga bizneset dhe institucionet cenon jo vetëm stabilitetin fiskal aktualisht të sistemit të pensioneve, por po bëhet shkak për një problem më të madh social në të ardhmen.

Por, sot ne po punojmë pa e ditur se sa do të marrim në fund; po punojmë me shpresën se punëdhënësit tanë ndër vite do na i kenë paguar kontributet; po punojmë me shpresën se do të kemi plot vite të bardha për të kompensuar tërë ato vite që kemi punuar në të zezë; po punojmë e po mbajmë pensionistët tanë, me shpresën se nesër brezi tjetër do të punojë për të na mbajtur ne; po punojmë me shpresën se pensioni do të na mjaftojë e se nuk do t’i bëhemi barrë fëmijëve tanë. Por teksa punojmë, po plakemi.

Pas shumë vitesh e sigurt është që do të jemi më të paktë e më të plakur. Po pensionet tona? Sa e sigurt është e ardhmja për to? A do të mund të jetojmë me dinjitet me ato? (A2 Televizion)