Ditët e fundit në Shqipëri ka një rritje të rasteve të reja me infektime nga Covid-19. Nëse do të këtë një valë të re, që do të sjellë zbatim të masave të reja kufizuese, shoqatat e biznesit, por edhe sipërmarrjet pohojnë njëzëri se do të ketë mbyllje të bizneseve dhe shkurtim të vendeve të punës.
“Një valë e re do ishte një katastrofë e vërtetë për sektorin e manifakturës së veshjeve dhe këpucëve. Për sektorin tonë, një mbyllje edhe pjesore do të përkthehej në humbje të vendeve të punës dhe mbyllje të fabrikave. Pasi bizneset e sektorit tashmë kanë ezauruar edhe ato pak kursime që kishin dhe mbi 80% janë duke shlyer kreditë e shumta që kanë qenë të detyruar të marrin për t’i mbijetuar kësaj krize globale që na ka prekur”, thotë kryetari i Shoqatës ProEksport Albania, z. Edvin Prençe.
Arben Shkodra, nga Shoqata e Prodhuesve, thotë se nëse masat shtrëngohen ato do të ndikojnë tek industritë përpunuese. “Nëse shteti mburret për vaksinim të lartë, apo që kemi kaluar pandeminë, nuk ka pse të nxjerrë masa shtrënguese si në fillim të pandemisë, që treguan se ishin vrastare. Ka nevojë për transparencë, mendim shkencor i bazuar edhe me ndikimin në ekonomi.”
Përfaqësuesi i Shoqatës të Bareve dhe Restoranteve, z. Jahaj thotë se me klubet e natës që janë ende të mbyllura dhe me valën e re edhe pa marre masa, qeveria do të ketë stepje pasi gjithë ky stres po ndikon në mendësinë e konsumatorit.
Në sektorin e turizmit filluan të ndihen direkt efektet e masave të reja që janë marrë në vendet e rajonit. “Të dielën e fundit të muajit gusht janë larguar shumë shtetas nga Kosova që pushonin në Golem, për shkak të masave të reja kufizuese që kanë nisur të zbatohen në Kosovë. Shumë prej tyre u detyruan të largoheshin, pasi nuk e dinin se çfarë do të ndodhte më tej”, pohon administratori i resortit FAFA në Golem.
Nga 20 gushti në Kosovë hynë në fuqi masat e reja kufizuese që do të ishin të vlefshme deri më 10 shtator, që nga frekuentimi i klubeve të natës të personave me certifikatë vaksinimi ose me test negativ, funksionimi i bareve dhe restoranteve me 50% të kapacitetit dhe detyrimi për mbajtjen e maskës në ambiente të mbyllura. Në Shqipëri nga 1 shtatori hynë në fuqi masat e reja anti-Covid-19.
Komiteti Teknik i Ekspertëve ndryshoi orën policore të lëvizjeve nga 24:00-06:00 në 23:00-06:00. Nga data 6 shtator, shtetasit që hyjnë në territorin shqiptar duhet të plotësojë një nga këto tre kushte të ketë certifikatën e vaksinimit; test PCR jo më të vjetër se 72 orë; test i shpejt jo më të vjetër se 48 orë.
Sa ndihmuan sipërmarrjen Garancia Sovrane 1 dhe 2
Në mbështetje të sipërmarrjes private, qeveria miratoi shpërndarjen e kredive në vlerë 26 miliardë lekë nëpërmjet dy Garancive Sovrane. Fondi nëpërmjet Garancisë Sovrane 1 që bankat nisën të shpërndanin në maj të 2020 ishte me vlerë 11 miliardë lekë. Me Garancinë Sovrane 2, fondi për t’u shpërndarë ishte në vlerën e 15 miliardë lekëve.
Një pjesë e sipërmarrësve në vend dhe shoqatat e biznesit nuk i vlerësojnë pozitivisht nismat e qeverisë për marrje kredie, nëpërmjet dy garancive sovrane, për t’u ardhur në ndihmë nga kriza e pandemisë. Garancia e parë sovrane u kritikua për shkak të kufizimit të skemës, që stimulon huadhënien vetëm për pagesat e punonjësve. Te kredia e dytë, ndryshe nga e para, biznesi mund të aplikonte për të pasur më shumë likuiditet dhe investime, po sipërmarrësit vlerësojnë se mekanizmat e përdorur dhe interesi i lartë deri në 5% e bëjnë të pafavorshme.
Sekretari i Shoqatës së Prodhuesve, z. Arben Shkodra, pohon se ndihma nëpërmjet garancive sovrane ishte e papërfillshme dhe e keqtargetuar. “Nuk u shërbyen kompanive me probleme, por vetëm kompanive të shëndetshme që ndoshta nuk kishin nevojë për likuiditet, pasi lehtësisht mund të merrnin kredi edhe nga bankat e nivelit të dytë.”
Për kryetarin e Shoqatës ProEksport Albania, edhe statistikat e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë (MFE) treguan që Garancia Sovrane 2 ishte një blof dhe gabim i qeverisë dhe sektori fason pothuajse nuk ka aplikuar. “Garancia Sovrane 1, edhe pse jo shumë lehtësuese, u aplikua nga sektori ynë në rreth 25% të bizneseve, pra bizneset morën borxh për të paguar pagat e punonjësve të tyre dhe detyrimet e tjera (pra ishte një detyrim i Shtetit të ndihmonte siç e bëri Maqedonia, Serbia e Mali i Zi, por si gjithmonë biznesi gjendet i vetëm dhe po i merr vetë përsipër këto kosto).
Mjafton të kujtojmë paketën e Serbisë: Paketa parashikonte një sërë masash, përfshirë pagesa deri në 50% të pagës minimale për punonjësit e ndërmarrjeve mikro dhe të vogla dhe garanci shtetërore për huazim në bankat tregtare. Për mendimin tonë nuk ishte zgjidhja në nxjerrjen e Garancive Sovrane, por vënia në dispozicion të manovrave ekonomike gjithëpërfshirëse, pa kufizime ose në dëshirën dhe vendimmarrjen e bankave dhe me përqindjet që të gjithë i pamë sepse humbi sensin e të quajturit Garanci Sovrane dhe u kthye në kredi e mirëfilltë”.
Për sektorin fason të veshjeve, kredia me garancinë e parë sovrane vlerësohet si mbështetje reale për pagat e punonjësve. Florjan Zeka pohon se investimi për diversifikimin e prodhimit i krijoi vështirësi likuiditeti për të mbajtur punonjësit në punë, por ishte huaja prej 4 milionë lekë që përfitoi nga Garancia Sovrane 1 për të paguar pagat e punonjësve në muajt e karantinës.
Ndihma e shtetit për dhënien e kredive nëpërmjet dy paketave konsiderohet e paleverdishme edhe për sektorin e turizmit. “Interesi i kredive nëpërmjet garancisë sovrane ishte më i shtrenjtë se interesi i kredive që ofrojnë bankat private. Bankat e nivelit të dytë ofrojnë kredi me interes deri 4,4-4,5% nga 5% që ishte interesi për kreditë e garancisë sovrane”, nënvizon administratori i FAFA Group, Fatos Çerenishti.
Aplikimi për kredi nëpërmjet dy garancive sovrane është refuzuar edhe nga sektori i bareve dhe restoranteve. “Kredi u dha me interesa të njëjta siç ofrojnë edhe bankat e nivelit të dytë. Garancia sovrane ishte vetëm një gjetje marketingu, sesa ndihmesë reale për biznesin”, thotë Enri Jahaj nga Shoqata e Bareve dhe Restoranteve./Monitor