Plarent Ndreca dha deklarime për rreth 4 orë në Prokurorinë e Posaçme.
Në dalje të SPAK, Ndreca tha se nuk ishte thirrur nga organi i akuzës, por ishte paraqitur vetë, teksa pranoi se më herët i është komunikuar akuza.
Ndreca nuk kishte koment lidhur me akuzën për shkelje të barazisë në tendera dhe ankande publike ku tha se një qëndrim konkret do e ketë në momentin e duhur.
“Dhashë deklarime në SPAK në vijim të hetimeve të nisura nga ana e Prokurorisë. Ishte kërkesa ime për të dhënë deklarime.
Isha në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime (pyetje: ju është komunikuar akuza për shkelje të barazisë më tendera), jam njohur me akuzën.
Qëndrime rreth akuzës do të jap në një moment tjetër. Do shprehem në momentin që duhet të shprehem. Do shprehem në atë moment që unë konsideroj se është e duhura. Mos u nxitoni, do shprehem në momentin e duhur. Çështja konsiderohet si çështje akoma në hetim”, tha Ndreca pasi doli nga dyert e SPAK.
Deputeti socialist Plarent Ndreca ka marrë zyrtarisht njoftim për akuzën e ngritur ndaj tij.
Mësohet se procedimi ka të bëjë me tenderat e rikonstruksionit në komisariatet e policisë në Vlorë, Mirditë, Pogradeci dhe atij nr. 4 në Tiranë.
Në atë kohë Ndreca ishte sekretar i përgjithshëm në ministrinë e brendshme, ndërsa akuza e ngritur është për shkelje të barazisë në tendera.
Ka qenë KLSH që paraqiti dosjen në prokurorinë e posacme duke argumentuar kriteret e ngritura në prokurim, dhe rritje të pargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe të projektimit në procedurën e prokurimit.
Procedurat janë kryer kur kjo ministri drejtohej nga Sandër Lleshaj, teksa është duke u hetuar edhe një tjetër tender i kësaj periudhe që ka të bëjë me uniformat e Policisë së Shtetit.
Megjithatë duket se çështja e Ndrecës nuk do të kalojë përmes procedurave parlamentare pasi ndaj tij nuk janë vendosur masa sigurie.