Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, është paraqitur këtë të premte në Prokurrorinë e Posaçme Antikorrupsion.
Mësohet se Lapaj është paraqitur në seancën e radhës për gjyqin për shpifje që ka me kreun e Partisë Mundësia, Agron Shehaj. Kujtojmë se Shehaj e akuzoi Lapajn se kishte marrë 45 milionë lekë nga kompania “Merkaj 3 shpk”, e sekuestruar nga SPAK pasi përdorej për të pastruar paratë e grupit kriminal të “Çopjave”.
Ndërkohë, avokati i tij ka deklaruar në seancë se ka kërkuar të dhëna nga disa banka dhe nga kadastra lidhur me të dhënat që lidhen me Adriatik Lapajn, por nuk kanë marrë asnjë informacion. Ndër të tjera, avokati thekson se kanë kontratat që tregojnë se Lapaj është paguar nga kompania në vlerën e 4 milionë lekëve për regjistrimin në gjykatë.
“I jemi drejtuar Kadastrës për të marrë prova dhe disa bankave, por nuk na japin informacion në lidhje me paditësin. Pretendohet se kemi fyer dhe shpifur në lidhje me administratorët e një kompanie që është në hetim nga SPAK, ku Lapaj ka qenë avokat. Ne kemi kontratat ku ai është paguar nga kjo kompani në vlerën e 4 milionë lekëve për regjistrimin e saj në gjykatë. Kemi edhe disa vendime të Gjykatës së Sarandës që janë përfaqësuar nga viktima akuzuese, por që vendimi është marrë nga vjehrri i tij. I jemi drejtuar edhe KPA për vendimin e rivlerësimit të vjehrrit të Lapajt.”, deklaroi avokati.