Këshilli Bashkiak hap dritën jeshile për nisjen e procedurave të shitjes së AF Elbasanit. Në treg do të dalin vetëm 70% të aksioneve të klubit, pasi 30% do të vijojë t’i mbajë bashkia. Ishte kjo e fundit që e krijoi në qershor të 2021-shit dhe e vetme e ka financuar prej gati dy sezonesh.
Ndryshe nga sa ndodh në shumë çështje të tjera, duket se futbolli i ka bashkuar të gjitha palët politike. U miratua në mënyrë unanime nga të gjithë këshilltarët ky projektvendim. Aksionet që dalin në shitje për momentin vlerësohen rreth 138 milionë lekë të vjetër dhe vlen të saktësohet se nuk përfshihen asetet, pasi ato i mbeten institucionit vendor. Pra, do të shitet vetëm emri, loseja dhe ndonjë aset i vogël i papërfillshëm. Por terrenet sportive do të vijojnë të jenë pronë e bashkisë.
DISKUTIMET I pari e mori fjalën ishte kryebashkiaku Gledian Llatja, i cili dha detajet nga shitja e këtyre aksioneve dhe theksoi se suporti për sportin dhe futbollin do të vijojë të jetë sërish i lartë. “Pas krijimit rreth dy vite më parë, AF Elbasani ka pasur një performancë të mirë deri më sot dhe ka premisën për të kaluar në Superiore dhe ngritur emrin futbollit dhe Elbasanit aty ku e ka vendin. Është një detyrim ligjor kur je në ligë profesioniste, duhen shitur aksionet. Në këtë mbledhje kërkohet miratimi për shitjen. Asetet janë pronë e bashkisë. Pra, do të shiten vetëm 70% e aksioneve dhe nuk ka lidhje me asetet. Edhe mund t’i shisnim 100% të aksioneve, por nga diskutimet publike dhe grupet e interesit, qytetarët, tifozët, kanë kërkuar jo shitjen në masën 100%, por vetëm 70%. Bashkia e Elbasanit do të vijojë ta suportojë sportin në këtë qytet, jo vetëm futbollin”, përfundoi Gledian Llatja.
SHITJA Ky vendim hyn në fuqi 10 ditë pas shpalljes dhe pritet që bashkia të presë më pas ofertat në drejtim të saj. Asnjë palë nuk është e përjashtuar nga blerja e aksioneve, mjafton të përmbushë kriteret që janë vendosur. Siç dihet, për momentin publikisht ka shfaqur interes vetëm Kujtim Llupa. Gjatë kësaj periudhe, ai ka qenë pranë skuadrës dhe ka dhënë suportin e tij. Gjithsesi, deri gjatë kësaj periudhe mund të dalin në skenë edhe palë të tjera të interesuara. Elbasani është një emër i madh në futbollin shqiptar që ngjall interesin e shumë biznesmenëve për të investuar në këtë klub.
PANORAMASPORT.AL