Afera 50 mln euro me Gaddafin/ Sarkozy shpallet fajtor për komplot kriminal

0
3

Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy është shpallur fajtor për komplot kriminal në një rast që lidhet me marrjen e miliona eurove fonde të paligjshme nga udhëheqësi i ndjerë libian, koloneli Muammar Gaddafi.

Gjykata penale e Parisit e liroi atë nga të gjitha akuzat e tjera, përfshirë korrupsionin pasiv dhe financimin e paligjshëm të fushatës elektorale.

Sarkozy, i cili pretendon se rasti ka motiv politik, akuzohej se kishte përdorur fondet e Gaddafit për të financuar fushatën e tij zgjedhore në vitin 2007. Si kundërshpërblim, prokuroria pretendoi se Sarkozy kishte premtuar të ndihmonte Gaddafin të përmirësonte reputacionin e tij si një “pariah” për vendet perëndimore

Sarkozy, 70 vjeç, ishte president i Francës nga viti 2007 deri në 2012.

Hetimi u hap në vitin 2013, dy vite pas akuzës së parë nga Saif al-Islam, djali i udhëheqësit libian të asaj kohe, i cili e akuzoi Sarkozy-n për marrjen e miliona eurove nga paratë e babait të tij për financimin e fushatës.

Në vitin pasues, biznesmeni libanez Ziad Takieddine – i cili për një kohë të gjatë ka vepruar si ndërmjetës midis Francës dhe Lindjes së Mesme – deklaroi se kishte prova të shkruara që tregonin se fushata e Sarkozy ishte financuar “shumë” nga Tripoli, dhe se pagesat prej 50 milionë eurosh vazhduan edhe pasi ai u bë president.

Gruaja e Sarkozy-t, ish-supermodelja dhe këngëtarja me origjinë italiane Carla Bruni-Sarkozy, u akuzua vitin e kaluar për fshehje të provave lidhur me rastin Gaddafi dhe për bashkëpunim me keqbërës për të kryer mashtrim, të cilat të dyja i mohon.

Që nga humbja e zgjedhjeve për rizgjedhje në vitin 2012, Sarkozy është objekt i disa hetimeve penale.

Ai gjithashtu apeloi kundër vendimit të shkurtit 2024, i cili e shpalli fajtor për shpenzime të tepërta gjatë fushatës së rizgjedhjes në 2012 dhe për punësimin e një firme PR për ta fshehur këtë. Ai mori një dënim njëvjeçar, nga i cili gjashtë muaj u pezulluan.

Në vitin 2021, ai u shpall fajtor për tentativë ryshfeti ndaj një gjyqtari në 2014 dhe u bë ish-presidenti i parë francez që mori dënim me burg. Në dhjetor, gjykata e apelit në Paris vendosi që ai mund të vuante dënimin në shtëpi duke mbajtur një gjurmues elektronik, në vend që të shkonte në burg.

© SYRI.net