Ish-deputeti socialist, Alqi Bllako ka dëshmuar në sallën e gjyqit dhe ka mohuar akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Në dëshminë e tij në Gjykatën e Posaçme, për çështjen e inceneratorëve, ai ka mohuar akuzat, duke theksuar se është i pafajshëm dhe se të gjitha shkresat i ka trajtuar sipas ligjit.
“Jam i pafajshëm. Në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të ministrisë nuk kam pasur rol në zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Kam pasur rolin e zyrtarit që kryente vetëm shkresa përcjellëse mes institucioneve,”- ka thënë Bllako.
Alqi Bllako u vetëdorëzua në polici më 1 prill të vitit 2022, pasi Gjykata e Posaçme caktoi më parë masën e “arrestit me burg” pas hetimit për kontratën koncesionare të Fierit me një vlerë të përllogaritur në 28 milionë euro.
SPAK e akuzon Bllakon se ka marrë përfitime të paligjshme nga kompanitë koncensionare të ndërtimit të inceneratorëve, ndërsa ka favorizuar këto kompani gjatë kohës që ushtronte detyrat shtetërore si sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas në funksionin e “Autoritetit Kontraktues”, si drejtor i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve.
Së bashku me Bllakon, SPAK ka ngritur akuza edhe ndaj 9 zyrtarëve të tjerë të lidhur me procedurat e koncesionit për inceneratorin e Fierit, përfshi edhe ish-Ministrin e Mjedisit, Lefter Koka i cili gjendet në burg që prej dhjetorit 2021.
Sipas SPAK, Bllako ka falsifikuar të dhënat për tokën mbi të cilën është ndërtuar inceneratori i Fierit, duke i ndryshuar kartelën nga “tokë arë” në “tokë truall”, gjë që ka çuar në një rritje të kostos së shpronësimit me 16 milionë lekë. Ish-deputeti i PS-së akuzohet gjithashtu se ka përfituar padrejtësisht me anë të punësimit të babait të tij, Edmond Bllako, pranë kompanisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” të inceneratorit të Tiranës.
Ndërkohë, një shumë prej 146 milionë lekësh dyshohet se ka përfunduar në xhepat e familjarëve të ish-ministrit Lefter Koka, i dyshuar për përfitime të ngjashme nga koncesioni i inceneratorit të Elbasanit.