AKEP , lë në fuqi tarifën 1.11 lekë/minutë në tregun e shumicës celulare

0
279

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka miratuar analizën e tregut të telefonisë celulare dhe ka vendosur që të mbajë të pandryshuar tarifën maksimale të terminimit të thirrjeve kombëtare në rrjetet celulare 1.11 lekë për minute.

Kjo tarifë u la në fuqi, pasi AKEP vendosi t’i konsiderojë tre operatorët e rrjeteve celulare Albtelekom sh.a, Telekom Albania sh.a dhe Vodafone Albania sh.a si sipërmarrës me fuqi të ndjeshme (FNT) në tregun përkatës: tregu me shumicë i terminimit të thirrjeve kombëtare në rrjetet celulare. Ndërkohë AKEP nuk ndërhyn në tarifat e pakicës.

Tarifat e terminimit në rrjetet celulare në Shqipëri kanë ardhur duke u reduktuar në mënyrë të përshkallëzuar si rezultat i ndërhyrjes së AKEP, nga viti në vit, duke konverguar drejt një simetrie të plotë mes tre operatorëve.

Në tetor 2018, AKEP vendosi që tarifa e terminimit të ishte 1.22 lekë/minutë, që nga dhjetori 2018, duke u ulur në 1.11 lekë/min në dhjetor 2019. Tashmë kjo tarifë do të vijoj te mbetet kaq deri në përfundimin e projektit të asistencës teknike për modelin e kostos.

Vendimi në tetor 2018 u mor pasi rezultoi se Tarifa mesatare e thjeshtë e 28 vendeve anëtare të BE në 1 Korrik 2018 ishte 1.06 lek/minutë, ndërsa tarifa mesatare e ponderuar ishte 1.09 lek/minutë. Këto vlera ishin 26-28% më të ulëta se niveli i tarifave mesatare të terminimit cellular (MTR) në Shqipëri deri në nëntor 2018 prej 1.48 lek/minute.

AKEP ka vendosur të mbajë në vëzhgim tregun përkatës me shumicë të terminimit të thirrjeve ndërkombëtare në rrjetet celulare, deri në plotësimin e tërësisë së kushteve për ndërmarrjen e një analize të re.

AKEP ka publikuar dhe dokumentin: “Analizë tregu e telefonisë celulare për tregjet me shumicë të terminimit të thirrjeve në rrjetet celulare, përfshirë terminimin e thirrjeve hyrëse ndërkombëtare”.

Sipas vendimit “përftimi i modelit të kostove dhe për rrjedhojë i një mekanizmi efiçent njësimi tarifor (glide path) do të mundësojë në momentin më të përshtatshëm një analizë të plotë rregullatore për sa i takon terminimit të thirrjeve hyrëse ndërkombëtare”

AKEP është i vetëdijshëm për rëndësinë e zgjatjes së intervaleve kohore mes dy analizave, nga 3 në 5 vjet, rishtazi të rekomanduara nga Komisioni Evropian, për t’i dhënë kohën e mjaftueshme tregjeve për të strukturuar një fizionomi të qendrueshme dhe për t’i lejuar rregullatorit të vrojtojë dhe të shqyrtojë kushtet e posaçme dhe dinamikat e tyre reale duke shmangur çdo analizë skematike .

“Duke marrë parasysh sa më sipër, AKEP nuk do të ngurojë, sapo të disponojë një model kostosh tërësisht operacional, të shqyrtojë mundësinë e një analize të re të tregut të terminimit të thirrjeve hyrëse ndërkombëtare, duke pasur parasysh faktorët ekonomikë specifikë, dinamikat e tregut shqiptar, eventualisht rekomandimet dhe direktivat e reja që mund të përpunohen nga Komisioni Evropian dhe impaktin mbi përdoruesit fundorë”, konkludon vendimi.

Ecuria e tarifave të termnimit me shumicë të thirjeve në rrjetet celulare 2010-2020.

Monitor