Aksident tragjik në Hong Kong/ Avioni rrëshqet nga pista dhe përfundon në det, dy persona humbin jetën

0
3

Një avion është përfshirë në një aksident të rëndë në aeroportin ndërkombëtar të Hong Kongut, pasi rrëshqiti nga pista dhe ra në det gjatë uljes në orët e para të mëngjesit të së hënës.

Ngjarja ndodhi rreth orës 03:50, kur avioni Boeing 747, i operuar nga kompania turke ACT Airlines dhe i marrë me qira nga Emirates, po vinte nga Dubai.

Sipas autoriteteve, dy persona që ndodheshin në një automjet të shërbimeve tokësore humbën jetën, ndërsa katër anëtarët e ekuipazhit u shpëtuan dhe u dërguan në spital.

Emirates sqaroi se fluturimi EK9788 ishte një “wet lease”, që do të thotë se ekuipazhi, mirëmbajtja dhe sigurimi ishin përgjegjësi e ACT Airlines. Sipas njoftimeve, avioni nuk mbante ngarkesë në bord në momentin e aksidentit.

Pamjet e publikuara nga mediat lokale tregojnë avionin pjesërisht të fundosur pranë murit detar të aeroportit, me pjesën e përparme mbi ujë dhe bishtin e shkëputur. Autoritetet mbyllën përkohësisht pistën veriore, ndërsa dy pistat e tjera vijuan funksionimin normal.

Aeroporti ndërkombëtar i Hong Kongut është një nga aeroportet me më shumë fluks në Azi. Departamenti i Aviacionit Civil tha se po bashkëpunon me kompaninë ajrore dhe palët e tjera për hetimin e plotë të shkaqeve të aksidentit.