Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin B. J., 56 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Në Komisariatin e Policisë Cërrik ka kallëzuar shtetasi B. R., 43 vjeç, se më datë 03.01.2026, është larguar nga banesa, bashkëshortja e tij, shtetasja E. R., 36 vjeçe. Po punohet për gjetjen e saj.
Më datë 04.01.2026, dyshohet se për shkak të një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit M. V., 77 vjeç, në fshatin Murrash. Si pasojë, banesa është djegur plotësisht.
Peqin/Më datë 04.01.2026, ka kallëzuar shtetasi B. Ç., se në banesën e tij, në fshatin Pekisht, i kanë vjedhur DVR-në e kamerave të sigurisë dhe disa vegla pune. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Në vijim të informacionit të dhënë më datë 01.01.2026, për largimin nga banesa të shtetasit A. A., 82 vjeç, banues në lagjen “5 Maji”, i cili vuante nga demenca, informojmë se më datë 04.01.2026, si rezultat i kërkimeve në bashkëpunim me familjarët e 82-vjeçarit, është gjetur trupi i pajetë i tij, në një ullishtë në fshatin Vidhas. Ai dyshohet se ka humbur jetën për shkaqe natyrale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.


