Aksidenti i rëndë ajror në Indi, mbi 290 të vdekur në tragjedi

0
3

Më shumë se 290 persona humbën jetën kur një avion i Air India me destinacion Londrën, me 242 persona në bord, u rrëzua vetëm pak minuta pas ngritjes nga qyteti perëndimor i Ahmedabad-it, të enjten.

Autoritetet e kanë quajtur këtë katastrofën më të rëndë ajrore në botë gjatë dekadës së fundit. Mes viktimave kishte edhe persona që ndodheshin në tokë, pasi avioni – i cili duhej të mbërrinte në aeroportin Gatwick në jug të Londrës – u rrëzua mbi një konvikt të një kolegji mjekësor gjatë orës së drekës.

Sipas policisë, të paktën një pasagjer ka mbijetuar. Ai tregoi për mediat se kishte dëgjuar një zhurmë të fortë menjëherë pas ngritjes. Pasagjeri ndodhej në vendin 11A, pranë një daljeje emergjente, çka mund të ketë ndihmuar në mbijetesën e tij. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që të ketë edhe të mbijetuar të tjerë që po trajtohen në spital.

Tridhjetë sekonda pas ngritjes, dëgjova një zhurmë të madhe dhe më pas ndodhi përplasja. Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Kur u zgjova, pashë trupa rreth meje. U ngrita dhe vrapova. Ishte tmerr,” tha i mbijetuari nga shtrati i spitalit.

Ai shtoi se kishte qenë duke udhëtuar me vëllain e tij, i cili ndodhej në një rresht tjetër në avion dhe është ende i zhdukur.

Sipas policisë lokale, trupat e viktimave përfshijnë si pasagjerë të avionit ashtu edhe banorë të zonës ku ndodhi përplasja. Mes viktimave ishte edhe një zyrtar i njohur lokal. Autoritetet kanë kërkuar nga familjarët të ofrojnë mostra të ADN-së për të ndihmuar në identifikimin e trupave.