Forcat operacionale të Policisë së Burgjeve kanë zhvilluar një aksion të befasishëm në Burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin, me fokus kryesor identifikimin dhe sekuestrimin e sendeve të kundërligjshme brenda ambienteve të sigurisë së lartë. Në qendër të këtij operacioni kanë qenë edhe disa të dënuar me burgim të përjetshëm, ndër ta edhe Indrit Shaqe, i cili vuan dënimin për krime të rënda. Forcat e sigurisë së burgut i zbuluan telefonin të dënuarit me burg përjetë në 18 shtator, ndërsa 72 orë më pas u zhvillua kontrolli i forcave operacionale.
Burime jozyrtare bëjnë me dije se gjatë kontrollit të ushtruar në qelinë e Shaqes janë gjetur sende të ndaluara, që dyshohet se përdoreshin për komunikim të jashtëligjshëm. Kontrollet janë përqendruar në identifikimin e pajisjeve të ndaluara si telefona celularë, karta SIM apo pajisje të tjera që mund të shërbejnë për komunikim të paligjshëm me botën e jashtme.
Sipas burimeve, një sërë sendesh me interes të veçantë për hetimet janë sekuestruar dhe tashmë janë në proces verifikimi nga autoritetet përkatëse.
Ky operacion vjen në kuadër të masave të shtuara për të rritur sigurinë dhe për të ndërprerë çdo tentativë për organizim kriminal nga brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit. Gjithashtu po nga vetë forcat e sigurisë së IEVP Peqin është ushtruar kontroll ku është gjetur një telefon një të dënuari i cili vuan dënimin te seksioni i sigurisë së lartë.
Autoritetet pritet të publikojnë më shumë detaje në vijim, ndërsa hetimet për këtë rast janë ende në zhvillim.