Në një akt ekstrem censure, e ka cilësuar kreu i partisë Demokratike Sali Berisha ndalimin me një vit të platformës së Tik Tok në Shqiëpri. Në një deklaratë në mediat sociale, Berisha akuzon kreun e qeverisë se nuk i blen dot këto platforma, siç blen media tjera në Shqipëri.
“Edi Rama informoi dje se ka vendosur të bllokojë plotësisht platformën e Tik Tok-ut. Sipas tij, ishte ky një shkak madhor i vrasjes së nxënësit në shkollë. Mirëpo, kompania e Tik Tok informoi se, as i ndjeri Martin, as dhe vrasësi i tij nuk kishin llogari në këtë platformë. Çfarë del? Kësaj i thonë njëlloj sikur, për të mos patur aksidente, të ndalojmë përdorimin e makinave, apo të ndalojmë përdorimin e rrugëve dhe këto janë absurditete. E vërteta është se, Edi Rama vendosi ndalimin e platformës së Tik Tok-ut vetëm e vetëm se, aksionet e tij në mediat sociale kanë rënë përtokë, siç dëshmojnë të gjitha sondazhet. Së dyti, ai nuk i blen dot këto platforma, siç blen media tjera në Shqipëri. Dhe së fundmi, jemi në prag të zgjedhjeve dhe nuk toleron dot negativitetet e pasqyruara nga qytetarët në këto platforma”.