Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi vijon replikat në distancë me Damian Gjiknurin për cështjen e inceneratorëve. Socialisti njoftoi se ka autorizuar ngritjen e një padie për shpifje nga Bardhit. Numri dy i demokratëve reagoi duke deklaruar se mirëpret cdo padi dhe mezi pret gjyqin për të dorëzuar, sipas tij provat e pakontestueshme. Në replikën me Gjiknurin, Bardhi sqaron edhe akuzën për numrin e udhëtimeve sipas tij të Gjiknurit me “mafiozët e incineratorëve”.
Replikat në Facebook
Gazment Bardhi: Afera 400 milionë euroshe e mafies së plehrave është një nga shpërdorimet më të mëdha të taksave të qytetarëve shqiptarë. Ditën e djeshme Partia Demokratike zbuloi një tjetër zgjatim të kësaj afere të pisët, nëpërmjet faktimit të lidhjeve të ngushta të Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos, bosëve të inceneratorëve, dhe Damian Gjiknurit, i cili ka udhëtuar mbi 15 herë me ta jashtë Shqipërisë, ndërkohë që i gjithë aparati shtetëror ishte vendosur në gatishmëri të mafies së plehrave.
Ky konflikt i pastër interesi i shtohet numrit të madh të provave që Partia Demokratike ka grumbulluar vitet e fundit mbi këtë aferë që bën bashkë drejtuesit më të lartë të këtij pushteti të korruptuar, e sigurisht vet Edi Ramën, që ka promovuar dhe mbrojtur këto projekte që shkrumbojnë vetëm taksat e qytetarëve.
Tani është radha e drejtësisë të thotë fjalën e saj mbi këtë aferë 400 milionshe, që tregon edhe njëherë urgjencën që ka Shqipëria të pastrohet nga politikanët e korruptuar dhe të largoi këtë regjim plaçkitësish
Damian Gjiknuri: Shpërthimet e pakontrolluara të Gazit të Lulit faktojnë situatën e emergjencës dhe panikut që ka përfshirë lidershipin zyrtar të Partisë Demokratike. Efektin ndotës të të tillë Gazrave nuk ka incenerator as impiant që ta marrë përsipër ta trajtojë. Për të gjitha deklarimet e djeshme, të përsëritura dhe ditën e sotme, kam autorizuar dorëzimin e padisë për shpifje ndaj Gazit të Lulit. Për hir të transparencës ndaj opinionit publik, ju drejtova zyrtarisht autoriteteve përgjegjëse dhe nga 17 datat e pretenduara nga PD si lëvizje të miat jashtë vendit, sipas sistemit TIMS 14 rezultojnë të pavërteta.
Tre data që përkojnë me udhëtime të miat janë krejt rastësore e pa asnjë lidhje me personat në fjale: përkatësisht dy janë vizita zyrtare në detyrën e ministrit dhe një udhëtim me automjet me familjen time. Asnjë udhëtim charter. Të gjitha në linjat e zakonshme të fluturimit. Nën presionin e “Foltores”, duket qartë se Gazi i Lulit dhe Luli i Gazit e kanë nxjerrë në shitje partinë si shpifësa me pagesë, gjobvënësa ekonomik e politik, duke ju vetofruar blerësit më të parë. Gaztori i Lulit të gjejë avokatin dhe bëjë gati mbrojtjen në gjykatë! Siç e sfidova dje publikisht në Kuvend, hapi i dytë, të bëjë gati heqjen dorë nga mandati si shenjë reflektimi për budalliqet me pagesë që nxjerr nga goja!
Gazment Bardhi: Damian Gjiknuri ka bërë shumë mirë që ka ndjekur këshillën time për të marrë avokat, do i duhet për gjatë, veçanërisht për në SPAK. Mirëpres çdo padi ndaj çdo deklarate times nga dita e parë e angazhimit në politikë, e deri në ditën e fundit. Mezi pres seancat gjyqësore për të dorëzuar provat e pakontestueshme që paraqita dje në Kuvend dhe shumë të tjera që për efekt kohe nuk munda. Damian ruaj qetësinë, se ndryshe duke u përpjekur të gënjesh, pranon të vërtetën. E vërteta të ka bërë të pohosh sikur unë kam thënë se ke bërë 17 udhëtime me mafiozët e incineratorëve, kur unë të listova vetëm 15 udhëtime. Në fakt janë fiks 17, sepse dje nuk përfshiva ato të datës 01.09.2010 dhe 27.01.2012. Faleminderit që më konfirmon.
/ Abcnews.al