Akuzohet për ngacmim seksual të tre të miturave, 61-vjeçari humb ndjenjat në sallën e gjyqit

0
204

Burg 45 ditor për Vasil Mullajn, 61-vjeçarin nga fshati Erind i Lunxhërisë, i cili akuzohet për ngacmim seksual ndaj të miturve.

Seanca gjyqësore për vlerësimin e masës së arrestit ndaj tij ka zgjatur plot 2 orë por me një ndalese 30 minutëshe pasi i pandehuri humbi ndjenjat sapo ka dhënë versionin e tij të ngjarjes në të cilën akuzohet.

Greva e urise tre ditëshe që kishte ndërmarre në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, e kishte lënë të dehidratuar 61-vjeçarin, pasi siç u shpreh, e kishte ndërmarrë këtë veprim në shenje zemërimi ndaj akuzës së që i ishte ngritur me qëllim të caktuar. Vetë ai ka shpjeguar ngjarjen për të cilën akuzohet, duke thënë se të vetmin veprim që ka bërë, ishte dëbimi nga oborri i shtëpisë i katër fëmijëve mes të cilëve tre të mitura që luanin me nipërit dhe mbesat e tij.

Zhurma që shkaktonin fëmijët, ishte shumë e padurueshme aq sa në një moment 61-vjeçari ka reaguar me dhunë psikologjike shoqëruar me shtyrje ndaj fëmijëve që u pretenduan nga prindërit e tyre se u ngacmuan seksualisht.

Në dosjen e paraqitur nga prokurori Julian Çafka, oficerët e Policisë Gjyqësore kishin marrë dëshmitë e prindërve të të miturve të cilët pretendojnë se fëmijët e tyre ishin ngacmuar në organet intime nga 61-vjeçari, Vasil Mullaj.

“Ai u kishte ngritur fustanin dhe i ka prekur në organet intime”- thuhej në dëshmitë e prindërve të minorenëve.

Mirëpo kjo është kundërshtuar nga vetë i pandehuri dhe avokati i tij Bernard Aliko.

Ky i fundit ka kërkuar prova të besueshme për klientin e tij pasi me dëshmi të fryra dhe ngarkuara me hesape të vjetra, nuk mund të mbahet në burg një person.

Ai kërkoi nga kryesuesja e seancës gjyqësore, që të merren prova te tjera ligjore për të vërtetuar akuzën.

Në këto rrethana drejtuesja e seancës së sotme dha masën e sigurisë ” arrest me burg 45 ditor” për Vasil Mullajn derisa organi i akuzës të sjellë prova të tjera.

ora tv