Akuzohet për vrasjen e një gazetari investigativ, shpallet fajtor politikani

0
30

Një gjykatë në Las Vegas shpalli fajtor të mërkurën një ish-zyrtar të shtetit të Nevadës për vrasjen e gazetarit investigativ Jeff German. Juria mori vendimin unanim për ta shpallur fajtor për vrasje të shkallës së parë ish-administratorin e Qarkut Clark, Robert Telles.

Telles u shpall fajtor për vrasje me një armë vdekjeprurëse ndaj një viktime. Juria arriti unanimisht në përfundimin se vrasja ishte e qëllimshme dhe me paramendim.

Gjatë nëntë ditësh seancash, prokurorët dhanë detaje gjykatës së Las Vegasit mbi vrasjen e zotit German, një gazetar 69-vjeçar i gazetës Las Vegas Review-Journal.

 

German u gjet i vrarë me thikë jashtë shtëpisë së tij në Las Vegas më 3 shtator 2022. Gjatë gjyqit, prokurorët përshkruan se si Telles ishte i zemëruar nga artikujt e gazetarit German lidhur me të, sipas së cilëve Administratori i Qarkut sillej keq me personelin e tij dhe kishte një marrëdhënie të papërshtatshme me një vartëse.

Kur Telles humbi garën për t’u rizgjedhur në vitin 2022, ai sulmoi me një letër të hapur në internet gazetën Review-Journal për mbulimin e saj.

“Dhe ai e bëri këtë sepse e dinte që Jeff nuk kishte mbaruar së shkruari. Çdo gjë ka lidhje,” tha prokurori Christopher Hamner gjatë argumenteve përmbyllëse të hënën.

Prokurorët thanë se nën thonjtë e gazetarit ishin gjetur gjurmë ADN-je të zyrtarit. Telles ishte deklaruar i pafajshëm. Gjatë dëshmisë ai pretendoi– por pa prova – se ai ishte vënë në shënjestër si pjesë e një komploti të gjerë.

Avokati i tij mbrojtës Robert Draskovich tha se në trupin e të pandehurit Telles, makinën dhe shtëpinë e tij nuk ishin gjetur gjurmë gjaku apo ADN-je të gazetarit.

Në argumentat mbyllëse të hënën, avokati Draskovich i tha jurisë:

“Pyesni veten se çfarë mungon këtu”.

Anëtarët e jurisë filluan diskutimet e tyre për çështjen të hënën pasdite dhe e dhanë përfundimin e tyre të mërkurën. Vrasjet e gazetarëve janë të rralla në Shtetet e Bashkuara dhe kjo është hera e parë që një zyrtar aktual apo ish-zyrtar amerikan dënohet për vrasjen e një gazetari./VOA