‘Alarm’ në futbollin italian! Prokuroria Federale kërkon dënimin e 11 klubeve (Arsyeja)

0
142

Situatë alarmante në futbollin italian. Njëmbëdhjetë klube, përfshirë pesë në Serinë A, morën sot aktin e referimit për kundërvajtje administrative nga Prokurori Federal në lidhje me çështjen e plusvalencave fiktive, e cila rrjedhimisht kthehet në gjykim.

Juventus, Napoli, Sampdoria, Xhenoa, Parma, Empoli, Pro Vercelli, Pisa, Kievo, Pescara dhe Novara janë 11 klubet që kanë shitur e blerë lojtarë me vlera shumë më të larta sesa ajo reale e tyre, në mënyrë që të ndikojnë në përmirësimin e plusvalencës.

Ndërkohë ditën e sotme, mediat italiane, kanë raportuar se nëpërmjet një komunikatë zyrtare, Prokuroria Federale ka kërkuar masë administrative me gjobë për këto 11 klube, teksa është kërkuar gjithashtu masë edhe për plot 61 zyrtarë klubesh, përfshirë drejtues dhe administratorë.

Rastet e plusvalencave po hetohen paralelisht edhe nga Guardia Di Finanza, që nuk ka dalë ende në një konkluzion, ndryshe nga Prokuroria Federale, që bëri të ditura rezultatet e hetimit.Për sa i përket penaliteteve ato variojnë nga gjoba të ndryshme në rënie apo përjashtim nga kampionati. Gjithçka pritet të qartësohet në ditët në vijim.