Emigrimi masiv, sidomos i të rinjve, është rikthyer fort pas pandemisë. Shqiptarët po largohen, duke rrezikuar jetën njësoj si në luftë, së fundmi duke kaluar detin nga Franca në Britani me gomone.
Largimi masiv i shqiptarëve shpjegohet vetëm nga teoria e fituesit të çmimit “Nobel” në ekonomi (2001) George Akerlof, sipas të cilit, sa më shumë njerëz largohen nga një vend, aq më pak tërheqës bëhet që të tjerët të qëndrojnë.
Bizneset, pa përjashtim në të gjithë sektorët, e konsideruan mungesën e fuqisë punëtore për shkak të emigracionit sfidën më të madhe të aktivitetit më 2022. Numri i atyre që janë larguar është aq i madh këtë vit, saqë konsumi ka pësuar rënie të beftë në shumë artikuj, si brumërat. Shqipëria humbi miliarda dollarë nga investimet në arsim, kurse sistemi i pensioneve po vihet në rrezik. Bizneset po humbin mundësitë për zgjerim nga mungesa e punonjësve, teksa emigracioni po krijon rrethin vicioz në produktivitet. Pagat, si një mjet i fuqishëm frenimi
Shqipëria nuk është një vend në luftë, por ngjan si e tillë.
Të rinjtë shqiptarë, shpesh minorenë, gra me foshnja, madje edhe të moshuar, vazhdojnë të largohen nga vendi në një mënyrë që rrezikojnë seriozisht jetën, së fundmi nëpërmjet një udhëtimi rraskapitës që zgjat 7-9 orë me mjete primitive lundrimi nga Franca drejt Britanisë së Madhe, njësoj si në vitet para pas rrëzimit të komunizmit.
Të dhënat zyrtare të Autoriteteve Britanike tregojnë se rreth 5000 shqiptarë kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në vendin e tyre dhe janë regjistruar si azilkërkues në periudhën janar-qershor 2022. Gjysma e tyre kanë hyrë në vend me gomone, shumica të rinj.
Komuniteti Europian, nëpërmjet, Eurostat, raportoi se gjatë janar-gushtit të këtij viti kanë kërkuar azil mbi 5 mijë shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë ikin me kontrata pune, me punë të përkohshme, bashkim familjar, për studime etj.