Aleksandër Sadikaj, 27-vjeçari që u vra sot në atentin me tritol me telekomandë rezulton të jetë përfshirë në ngjarje kriminale edhe në Greqi. Përveç ‘skedës së zezë’ që kishte në Shqipëri, Sadikaj është akuzuar për vrasje edhe nga autoritetet e vendit fqinj.
Bëhet fjalë për një krim të ndodhur gjashtë vite me parë në Athinë. Dyshohet se vrasja në fjalë është kryer nga Sadikaj për prishjet e pazareve të drogës. Ende nuk janë zbardhur detaje mbi personin që është eliminuar në Athinë apo rrethanat në të cila ka ndodhur ngjarja.
Skeda e Sadikajt në Shqipëri:
Më 09.04.2011 është arrestuar në Berat, pasi, së bashku me një person tjetër kanë tentuar të vjedhin në një subject në Berat;
Më 30.04.2011 është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Vlorë, pasi Gjykata e Vlorës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim;
Më 31.05.2017 është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr.2 Tiranë, pasi Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”. Më 23.08.2018, Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 8 muaj burgim, për këtë vepër;
Më 29.05.2017 është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr.2 Tiranë për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”;
Më 09.07.2019 është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Sarandë, pasi në bashkëpunim me një shtetas tjetër, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë plagosur me thikë shtetasin A. D., duke i shkaktuar dëmtime serioze në trup;
Më datë 30.07.2019, Gjykata e Sarandës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.
Aleksandër Sadikaj, 27 vjeç është vrarë në një atentat me tritol me telekomandë. I riu me precedentë penalë ka qenë duke udhëtuar me makinën që rezulton të jetë në pronësi të Petrit Osmanit në momentin që atentatorët kanë shpërthyer tritolin me telekomandë. Sadikaj u nxorr pa gjymtyrë nga mjeti dhe kalimtarë të rastit e dërguan në spital ku dhe ndërroi jetë. 27-vjeçari është skeduar për një sërë veprash penale si vjedhje, vrasje, plagosje dhe mosbindje e kundërshtim të forcave të policisë. Hetimet janë fokusuar në të shkuarën e të riut, por nuk përjashtohet mundësia që atentatorët të jenë ngatërruar e që shënjestra e tyre të ketë qenë Osmani.