Deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar, ka dërguar një tjetër mesazh për deputetët pjesëmarrës në mbledhje, të cilëve u kërkon që deri të dielën në darkë secili prej tyre kishte të drejtë të sugjeronte kriteret që do të propozoheshin për zgjedhjen e presidentit.
Alibeaj e konsideron veten ende kryetar të grupit parlamentar, duke theksuar se ai do të bënte përmbledhjen e qëndrimeve të paraqitura. Më tej u kërkon të dërgohen edhe kërkesat për pjesëmarrjen në komisionin e posaçëm që pritet të ngrihet për reformën zgjedhore dhe territoriale.
Njoftimi i Plotë:
Të nderuar kolegë,
Në vijim të mbledhjes së sotme dhe asaj që u dakordësua, secili anëtar i grupit, deri të dielen në darkë, mund të sugjerojë kriteret që do propozojmë për zgjedhjen e Presidentit, dhe rregullat e procedurës që do ndiqet për përzgjedhjen konsensuale, ku opozita të ketë rol thelbësor në proces. Me pas kryetari i grupit do te bëjë përmbledhjen e qëndrimeve dhe dokumenti do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Grupit Parlamentar.
Gjithashtu, në vijim të porosisë për komisionet e posaçme, lutem dërgimin e kërkesave për pjesëmarrje në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore dhe territoriale, me qëllim që më pas të vendosim përbërjen në mbledhjet në vijim.
Ju përshëendes!