Ish-ministri i mjedisit, Lefter Koka është transferuar në paraburgimin e Durrësit. Lajmi është konfirmuar nga gazetari i ABC, Ermal Vija, i cili shton se vendimi ka ardhur në një kohë ku në burgun “313” u vendos ish-deputeti i PS-së Alqi Bllako.
Lëvizja ka ardhur në mënyrë që të mos ketë kontakte mes dy të arrestuarve për aferën korruptive të Inceneratorëve.
Ndërkohë SPAK do të marrë në pyetje ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka ditën e nesërme në orën 10:00 ku pritet të japë sqarime për çështjen. Ish-ministri i mjedisit vazhdon që të qëndrojë në qeli që prej Dhjetorit të 2021, pasi dyshohet për abuzime me dy koncesionet për ndërtimin e inceneratorit të Fierit dhe Elbasanit.