Qëllimi i amnistisë fiskale nuk duhet të jetë formalizimi apo ligjërimi i asaj çfarë është bërë gabim në të kaluarën, por paraqitja e një vizioni të ri të Qeverisë në përmirësimin e besueshmërisë në vendosjen e marrëdhënieve midis publikes dhe privates në të ardhmen
Nga Elivar Golemi
Qeveria shqiptare ka kaluar në konsultim publik projektligjin për amnistinë fiskale dhe penale për subjektet që bëjnë deklarim vullnetar të pasurive[1], duke i hapur rrugën miratimit të procedurës në Kuvend, pavarësisht qëndrimit të përsëritur kundër nga ana e ekspertëve të FMN-së.
Por cili është qëllimi i këtij projektligji? Referuar relacionit përcjellës, ligji synon “formalizimin e aktiviteteve të krijuara gjatë 30 viteve të fundit, ligjërimin e pasurive të padeklaruara dhe/ose të paregjistruara, rivlerësimin e pasqyrave financiare, si dhe aplikimin e një tatimi favorizues për pasuritë e deklaruara vullnetarisht.”
Kjo procedurë synohet të kryhet nëpërmjet garantimit me ligj të ruajtjes së sekretit dhe të informacioneve që lidhen me këto pasuri dhe mosfillimit të procedurave administrative dhe procedimeve penale ndaj subjekteve që nuk kanë bërë deklarimin e të ardhurave në kohë.
Pra, pavarësisht se Shqipëria ka pasur një procedurë të mëparshme të amnistisë fiskale dhe faljes së detyrimeve tatimore në vitin 2011, duket se projektligji aktual nuk i merr në konsideratë rezultatet e procedurës së mëparshme, por përfshin si objekt të amnistisë të gjithë periudhën 30-vjeçare të tranzicionit, duke e bërë edhe më të vështirë dhe kompleks monitorimin e procedurës së deklarimit vullnetar për moslejimin e parave të organizatave kriminale të qarkullojnë në mënyrë ligjore në ekonomi.
Kush përfiton nga ky projektligj? “Të gjithë individët shtetas të Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nëse janë rezidentë tatimorë ose jo në Republikën e Shqipërisë, personat fizikë dhe juridikë tatimpagues rezidentë në Republikën e Shqipërisë, si dhe individët rezidentë tatimorë në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht shtetësisë së tyre.”
Pra, qeveria synon të ofrojë amnisti fiskale të plotë, pa një target grup të caktuar, ku mund të përfshihen të gjithë shtetasit shqiptarë, qofshin rezidentë apo emigrantë, si dhe të gjithë rezidentët e huaj të vendosur në Shqipëri. Përjashtim nga amnistia bëjnë vetëm kategoria e personave politikisht të ekspozuar, identifikuar sipas legjislacionit shqiptar, në kushtet kur kryejnë detyra shtetërore në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit për amnistinë, si dhe personat e inkriminuar apo të përfshirë në financimin e terrorizmit dhe krimit të organizuar.
Nga projektligji nuk del qartë nëse përjashtohen nga amnistia fiskale personat e ekspozuar politikisht, të cilëve u ka mbaruar mandati përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji (nëse po sa është ky afat), duke krijuar në këtë mënyrë një hapësirë ligjore për pastrim parash të krijuara nga individët gjatë kryerjes së detyrave të lidhura me pushtetin.
Në deklaratën e datës 1 Korrik 2020[2], në përfundim të takimeve të zhvilluara me përfaqësuesit e qeverisë, FMN ka publikuar gjetjet paraprake të misionit, ku ndër të tjera adreson kritika ndaj masave fiskale të propozuara rishtazi nga qeveria, në mungesë të një programi të besueshëm buxhetor afatmesëm, duke ritheksuar gjithashtu qëndrimin e saj kundër projektligjit për amnistinë fiskale, pasi miratimi i tij do të cenonte përmbushjen e detyrimeve tatimore. Si gjetje e misionit evidentohet fakti se Qeveria Shqiptare aktualisht nuk ka sisteme efektive për të zbuluar evazionin fiskal dhe për të parandaluar pastrimin e parave dhe korrupsionin në vend.
Problemet me krimin e organizuar dhe pastrimin e parave në vend janë reflektuar edhe në vlerësimet ndërkombëtare të “Moneyval”[3], duke e renditur Shqipërinë në shkurt të këtij viti në listën e vendeve “gri”, të cilët kanë mangësi strategjike në parandalimin e pastrimit të parave dhe krimit të organizuar, përkrah vendeve të tjera si Barbadosi, Xhamajka, Mauritius, Mianmar, Nikaragua, Uganda.
Por siç duket, gjetjet dhe rekomandimet e vazhdueshme të FMN-së dhe autoriteteve të tjera ndërkombëtare nuk kanë marrë vëmendjen e duhur nga ana e qeverisë, e cila e gjendur me arkën bosh dhe borxhin në rritje, e sheh përshpejtimin e procedurave të amnistisë fiskale si një varkë shpëtimi afatshkurtër për të mbledhur ca të ardhura nga ekonomia informale.
Ky fakt konstatohet edhe nga relacioni përcjellës i projektligjit, ku grupi i punës referon se ligji për amnistinë fiskale nuk është parashikuar në programin e akteve që do të paraqiten për shqyrtim në Këshillin e Ministrave gjatë vitit 2020, dhe nuk synon përafrimin me ndonjë dispozitë të veçantë ligjore të Komisionit Europian.
Procedurat e amnistisë fiskale, të njohura ndryshe si procedura të deklarimit vullnetar të pasurisë janë praktika të njohura dhe të zbatuara në shumë vende të botës. Sipas një raporti të OECD-së[4], nëse këto procedura hartohen me kujdes dhe bazuar në strategji afatgjata, mund të sjellin dobi në ekonomi. Sipas studimeve të FMN-së, në shumicën e rasteve, vendet nuk heqin dorë nga mbledhja e taksave dhe interesave në hartimin e procedurave të deklarimit vullnetar të pasurisë, pasi “programet e amnistisë tatimore nuk kanë gjasa të japin përfitime afatgjata që tejkalojnë kostot e ekonomisë informale[5]”, duke ndikuar negativisht në pajtueshmërinë afatgjatë me politikat fiskale.
Eshtë shumë e rëndësishme që të krijohet një balancë midis ofrimit të stimujve për vetëdeklarim të pasurisë informale, nga ana e subjekteve që kanë shmangur zbatimin e ligjit ndër vite, por pa e inkurajuar një sjellje të tillë.
Në njoftimin e Ministrisë së Financave komunikohet se ky projektligj i jep mundësinë të gjithë individëve dhe subjekteve (pra pa një grup fokus të caktuar) që të legalizojnë të ardhurat dhe pasuritë e padeklaruara ndër vite. Nëse qeveria ka vendosur t’i japë mundësinë sot, të gjithë subjekteve që kanë shkelur ligjin ndër 30 vite, duke e komunikuar si një procedurë që i lejon shkelësit e ligjit të gëzojnë të lirë pasuritë e krijuara nga “puna e ndershme” pa paguar taksat, interesat dhe penalitetet që burojnë nga legjislacioni shqiptar, atëherë cili do të jetë stimuli për të gjithë subjektet e tjera që i kanë paguar taksat dhe detyrimet ligjore në kohë?
A është kjo qasja e duhur për të komunikuar një masë të tillë ekstreme, që bart rrezikun e nxitjes së subjekteve të tjera të shmangin detyrimet fiskale në pritje të amnistisë fiskale të ardhshme? Strategjia e komunikimit të amnistisë fiskale ka një rëndësi të veçantë për të arritur efektivitetin e aplikimit të një procedure të tillë komplekse dhe sfiduese për ekonominë e vendit.
Si konkluzion mund të themi se amnistia fiskale u propozua nga Qeveria si një masë emergjente, pas pasojave të tërmetit ose gjatë krizës pandemike, por pa një vizion të qartë për ecurinë dhe rezultatet e pritshme. Dukshëm kjo masë e propozuar nuk bazohet në një studim apo analizë të thelluar të tregut informal. Nga ana e Qeverisë nuk janë hartuar objektiva të qarta strategjike apo një program mbështetës afatmesëm për menaxhimin e politikave fiskale pas procedurës së amnistisë fiskale. Amnistia nuk mund dhe nuk duhet të përdoret nga qeveritë si një instrument afatshkurtër për të mbushur arkën në ditë të vështira.
Qeveria duhet të plotësojë fillimisht kushtet për disiplinimin e politikave buxhetore dhe fiskale, përpara ndërmarrjes së nismave të tilla shumë komplekse, me efekte negative për sa i përket besimit në të ardhmen të taksapaguesve të rregullt në ekonominë shqiptare. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të ofrohet garancia e nevojshme përpara qytetarëve, investitorëve dhe institucioneve vlerësuese ndërkombëtare, që pas ndërmarrjes së një procedure të tillë aspak të zakonshme, Qeveria do të jetë plotësisht e angazhuar dhe e aftë të adresojë problematikat e informalitetit, pastrimit të parave dhe kriminalitetit në vend.
Qëllimi i amnistisë fiskale nuk duhet të jetë formalizimi apo ligjërimi i asaj çfarë është bërë gabim në të kaluarën, por paraqitja e një vizioni të ri të Qeverisë në përmirësimin e besueshmërisë në vendosjen e marrëdhënieve midis publikes dhe privates në të ardhmen.
Monitor