Amnistia fiskale, mundësi për adresimin e nevojave për asete të reja për biznesin/ Denaj: Më pas nisim gjurmimin

0
233

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se amnistia fiskale dhe penale e cila është në proces konsultimi u shërben atyre bizneseve të cilat në vite kanë krijuar një diferencë mes realitetit dhe pasqyrave fiskale.

“Kjo është një mundësi që gjithë pjesa e biznesit, ajo e cila e ka vendosur asetin e saj me punë të ndershme, të amnistohet për një dhjetëvjeçar të rëndësishëm për të ecur para me financimin e duhur dhe me adresimin e nevojave për asete të reja”, tha Denaj në një prononcim për mediet.

Individët, vuri në dukje ministrja, nuk mund të anashkaloheshin nga qasja për një amnisti fiskale, pasi edhe ata kanë siguruar të ardhura dhe më herët, qoftë nga emigracioni apo mënyra të tjera.

Por, shtoi ministrja, ne kemi qenë kategorik ndaj atyre grupeve të cilat janë të përjashtuara nga amnistia dhe janë larguar si pjesë e qasjes në amnisti që në momentin e draftimit të ligjit.

Sipas Denajt, në bashkërendim me ministrinë e Drejtësisë jemi përpjekur të largojmë grupe të caktuara, të cilat nuk duhet të jenë pjesë e amnistisë dhe të synojmë që amnistia nëpërmjet rregullave të qarta të çdo institucioni që është pjesë e zbatimit të tij, përfshirë edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, të zbatojë ligjet që janë sot në fuqi, ato të parandalimit të pastrimit të parave dhe nuk janë të përjashtuara sepse ligji është afatgjatë.

“Në çdo përpjekje për amnisti fiskale në vitet e kaluara, rezultatet kanë qënë minimaliste sepse nuk janë shoqëruar asnjëherë me një amnisti penale. Ky ligj funksionon me amnisti penale përtej asaj fiskale. Synimi nuk ka qenë vetëm matja e fondit monetar, ka ardhur edhe një qasje proaktive për të liberalizuar të paktën atë deklarim të cilin sot bizneset dhe individët e kanë shfrytëzuar dhe kanë realizuar një qasje joreale të deklarimeve të tyre”, deklaroi ministrja.

Sipas saj, bëhet në radhë të parë për bizneset dhe individët dhe sjell për ta vetë një përfitim të shtuar.

Denaj tha se po ndërtohen instrumente për gjurmimin pas këtij viti, dhe në fakt, shtoi ajo, ky është thelbi i amnistisë.

“Ne synojmë atë pjesë të ekonomisë që është e pastër dhe në të cilën puna është vendosur në mënyrë të ndershme. Ka një synim që bizneset ta quajnë 0 dhe administrata fiskale po punon edhe për të ndërtuar instrumenta të cilët nëpërmjet sitemit do të synojnë gjurmimin pas këtij viti sepse në fakt ky është thelbi i amnistisë”, deklaroi Denaj. /a.gjonaj/j.p/