Andrea Pirlo është Andrea Pirlo, por për nga fantazia që kanë dhuruar në fushë dhe për faktin që tashmë “Maestro” ka nisur karrierën si trajner te Juventusi, rreth italianit është ngritur ideja se ndoshta ai mund të jetë edhe “Zinedin Zidani” i pankinës bardhezi. Ajo që i lidh këto dy figura që kanë bërë sigurisht historinë në fushë për “Zonjën e Vjetër” është edhe një tjetër element madhështor: Kristiano Ronaldo. Sulmuesi portugez dhe Zidani te Reali i Madridit ishin dyshja arkitekte e 3 Champions-ave të fundit te “Galaktikët”, pasi si CR7 ashtu sikurse edhe “Zizu” u ulën kokë më kokë, folën për idetë e lojës, krijuan planin e suksesit, i cili përmbante brenda tij edhe sakrificën që Kristiano duhej të bënte shpesh herë, në varësi të ndeshjeve, për skemat e trajnerit francez.
Ronaldo-Morata
Nëse iberikasit i pëlqente që të luante në korsinë e majtë dhe më pas të futej më shpesh drejt qendrës së zonës, në tre sezonet me Zidanin, Ronaldo pranoi që të luante më së shumti në qendër të zonës (siç pranoi të bënte edhe me Karlo Ançelotin, kur Reali fitoi Champions-in e 10-të), me premtimin se përkrah tekniku do t’i “qepte” edhe një shok reparti që do ta mbështeste në maksimum, do t’i hapte hapësirat, do t’i shërbente si mburojë dhe do ta shërbente në shumicën e rasteve, duke hequr dorë nga lavdia personale. Ky emër ishte ai i Karim Benzemasë, i cili së fundmi nënvizoi se ka rinisur të shënojë sërish, pasi për shumë vite iu vu në dispozicion Ronaldos. Gjithsesi, edhe bomberi francez, pavarësisht se “qahet”, në fund fitoi po aq sa CR7 dhe Zinedin Zidan. Dhe ndoshta, të njëjtën gjë Kristiano Ronaldo dhe Andrea Pirlo kanë planifikuar në këtë sezon te Juventusi, siç u pa shumë qartë edhe në ndeshjen me Specian.
KA LINDUR “MORALDO”
Në sfidën e fundit në kampionat, e cila përkoi edhe me atë të rikthimit të portugezit pas infektimit me Koronavirus, Andrea Pirlo e hodhi në fushë si zëvendësues Ronaldon, me urdhrin e qartë për të luajtur në qendër të zonës, jo në korsinë e majtë, teksa ndeshja ishte në një moment shumë delikat, ashtu sikurse rezultati i saj, në barazim 1-1. Rezultati i zgjedhjes taktike të Pirlos? Kaluan fare pak minuta dhe Morata nga rrethi i mesfushës, sheh lëvizjen e Kristianos në qendër mes mbrojtjes rivale, një korridor i pambuluar nga Specia dhe 35-vjeçari fluturon me topin në këmbë, driblon dhe portierin dhe 2-1 për Juven… Kaq mjaftoi dhe sigurisht që tifozët e Ronaldos do të kenë sjellë menjëherë në kujtesë edhe lëvizjet që luzitani bënte me Benzemanë te Reali i Madridit, ku francezi, nga pozicioni i numrit 9 natyral, nisi të lëvizë më shumë si organizator dhe ishte ai që shërbente Ronaldon, ndryshe nga e kaluara.
Dhe ideja e Pirlos është pikërisht kjo, sepse Morata duket një sozi e Benzemasë, ndonëse në mungesë të Kristiano ka tërhequr Juven me dy gola në kampionat dhe 4 në Champions, por mbi të gjitha i ka ofruar edhe një asist. Madje, Shifrat e dyshës MorataRonaldo, e cila tashmë është etiketuar si “Moraldo” funksionon dhe shumë madje, duke qenë se në 2 ndeshje e gjysmë që kanë luajtur së bashku (Roma, Specia dhe Ferencvarosh), Juventusi ka shënuar 10 gola (4 Ronaldo, 3 Morata, dhe me nga një asist secili).
Real Madrid v Atletico de Madrid – UEFA Champions League Final
Edhe pse në Budapest në një rast portugezi u pa shumë egoist, duke mos i pasuar spanjollit për një gol gjysmë të bërë, gjithsesi ai i ofroi asistin që Alvaro të festonte dopietën personale ndoshta ai gabim nuk do të përsëritet më. Juventusi kërkon që të vazhdojë të fitojë, por edhe Andrea Pirlo nuk kërkon që të mbahet mend si trajneri i lojës së bukur, por në të njëjtën kohë ai që ndërpreu serinë e 9 viteve me suksese të torinezëve. Prandaj, jo më kot pas sfidës me Ferencvaroshin e tha hapur se “nuk kërkon të shohë më egoizëm”. Fundja, nëse Ronaldo e Morata duan të bashkëjetojnë duhet edhe të sakrifikojnë për njëri-tjetrin, me Alvaro që është gati të vihet në shërbim të Kristianos, por kur të jepet mundësia edhe anasjelltas, siç ndodhte mes CR7-ës dhe Benzemasë te Reali i Madridit.
LAMTUMIRË “DYBALDO”?
Shkurt, dyshja MorataRonaldo duket se funksionon dhe Juventusi beson shumë te këta dy lojtarë, ndonëse në gatishmëri është edhe një tjetër yll, Paulo Dibala. Nëse sezonin e kaluar Mauricio Sarri mori medalje vetëm që arriti të bëjë të mundur bashkëjetesën mes Paulos dhe CR7-ës në sulm, e kaluara tregon diçka tjetër dhe ndoshta kjo e shtyn Pirlon që të bëjë si Zidani. Sa herë që Kristiano ka pasur si shok reparti një “pykë” të fortë, ka dhënë edhe më të mirën e tij, duke nisur nga Uejn Runi te Mançester Junajtid; Benzemaja te Reali i Madridit dhe Manxukiçi e Higuain te Juventusi. Prandaj, ndërsa Morata e Ronaldo do të kërkojnë që të pasurojnë sa më shumë bashkëpunimin mes tyre, Dibala duhet të nisë që të japë më të mirën e tij për të gjetur më shumë hapësirë. Dhe ku i dihet, mos ndoshta shpik edhe ndonjë variant që t’i shohë të tre titullarë në fushë…
Përgatiti: JETON STAMOLLA