Anëtarë të komunitetit rom dhe egjiptian protestojnë në Elbasan: Racizmi pandemia e radhës

0
219

Komuniteti rom dhe egjiptian në Elbasan protestuan kundër diskriminimit dhe racizmit. Duke dënuar njoftimin për punë të një biznesi ku shprehen dallime raciale, ky komunitet tha se nuk bëhet fjalë për një rast të veçuar ndaj kërkojnë të drejta të barabarta.

Ky njoftim pune i një biznesi në Elbasan ka ngritur në protestë komunitetin  rom dhe egjiptian atje.

Me pankarta në duar ku shkruhej “Racizmi është pandemia e radhës” ata thanë se ndihen të diskriminuar nga ky rast, të cilin e shohin si një tregues se ky fenomen është prezent në shoqëri.

“Ky rast është më shumë se kaq, është një tregues që fakton dhe buçet me të madhe për ekzistencën e diskriminimit ndaj minoritetit rom dhe egjiptian dhe duhet pranuar nga të gjithë se është një plagë sociale në shoqërinë tonë.”

Protestuesit u shprehën se diskriminimi në çdo fushë po ua bën “Diskriminimi është prezent në çdo fushë, në punësim, në arsim, në strehim, në jetën sociale.”

“Ne jemi të diskriminuar nga njerëzit. Është shumë e vështirë, ne pa punë gjithë jetën jemi.”

“Nuk gjejmë dot të drejtat tona, nuk kemi mbështetje.”

Në mbështetje të tyre ishte edhe Komisioneri Për Mbrojtjen ndaj Diskriminimit Robert Gajda i cili tha se nuk ka vend për dallime të tilla raciale.

“Ne urojmë shumë që kjo ngjarje kaq e rëndë të shërbejë për këdo në Shqipëri që të mos dallojë dhe mos diferencojë njerëzit për asnjë lloj përkatësie.”

Ndërkohë në reagimin e tij të parë publikisht pronari i biznesit pranoi që letra është në lokalin e tij por mohoi që ai dhe stafi i tij të kenë vendosur një gjë të tillë.

Në lidhje me njoftimin diskriminues të biznesit në Elbasan anëtarë të shoqërisë civile dhe aktivistët e të drejtave të njeriut kanë reaguar ashpër ditët e fundit duke bërë thirrje që rasti jo vetëm të mos përsëritet por institucionet të jenë më vigjilente për rastet e diskriminimit.