Anija “Cassiopea” mbërrin në Shëngjin, pritet zbarkimi i 49 emigrantëve të paligjshëm

0
2

Anija ushtarake italiane “Casiopea”, e nisur të premten nga ishulli Lampedusa, ka mbërritur këtë të martë në portin e Shëngjinit.

Në bordin e anijes ndodhen 49 emigrantë të paligjshëm me kombësi nga Egjipti, Bangladeshi, Bregu i Fildishtë Ivory Coast) dhe Gambia

Anija ushtarake “Casiopea” ishte parashikuar të mbërrinte në ujërat shqiptare në mëngjesin e së hënës, më 27 janar, por për shkak të një defekti që pësoi, anija shtyu lundrimin e saj për të martën, më 28 janar.

 

Ky është kontigjenti i tretë i emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë në Shqipëri. Më 16 tetor dhe 8 nëntor 2024, anija luftanike “Libara” solli në Shqipëri dy kontigjente me 24 emigrantë, kryesisht nga Egjipti dhe Bangladeshi, të cilët, pas vendimit të gjykatës italiane, u rikthyen në vendet e origjinës, pasi këto dy shtete u cilësuan si vende të sigurta.

 

Në nëntor të vitit 2023, kryeministri Edi Rama nënshkroi një marrëveshje me homologen italiane për hapjen e dy qendrave, që do të drejtohen nga Italia, për të strehuar emigrantët që shpëtohen nga autoritetet italiane në ujërat e Mesdheut derisa të procesohen kërkesat e tyre për azil.

Qendrat u bënë funksionale në muajin tetor, por gjyqtarët italianë vendosën kundër transferimit atje të dy grupeve të para të emigrantëve, të cilët u ridërguan në Itali. Qëndrimin e tyre gjyqtarët italianë e bazuan në një vendim të Gjykatës Europiane të Drejtësisë për vendet e sigurta të origjinës.

Në kundërpërgjigje, qeveria e Xhorxha Melonit miratoi në tetor të vitit të shkuar një listë të re vendesh të sigurta, ku si të tilla cilësohen 19 nga 22 vende që ishin në listën e mëparshme.

Plani i qeverisë italiane për dërgimin e emigrantëve në Shqipëri është ndërkohë në shqyrtim nga Gjykata Europiane e Drejtësisë, me kërkesë të gjyqësorit Italian.