Anketimi: 70% e bizneseve thonë se rekuperimi nga pandemia do të zgjasë mbi një vit

0
234

Anketimi me sipërmarrjet nxjerr në pah pasojat e rënda të pandemisë të shkaktuar te sipërmarrjet. Rikuperimi duket se do të vazhdojë gjatë, pasi bizneset nuk janë optimiste që do t’i rikthehen normalitetit për një periudhë të shkurtër. 70% e subjekteve të anketuara thonë se rikuperimi do të zgjasë më shumë se një vit. Si kanë ndikuar protokollet në aktivitetin e tyre. Sa efektive kanë qenë politikat mbështetëse të qeverisë

Situata e pandemisë ka ndikuar dhe po vazhdon të ushtrojë ndikimin e saj në çdo aspekt të jetës së individëve, e në veçanti në aspektin ekonomik. Ndikimi i drejtpërdrejtë në aspektin ekonomik u ndie kryesisht si pasojë e vendosjes së regjimit të karantinës, i cili u shoqërua me pezullimin e shumicës së aktiviteteve ekonomike të bizneseve.

Efektet negative të kësaj situate janë evidentuar nga treguesit kryesorë makroekonomikë si: rritja e papunësisë, ulja e PBB, ulja e eksporteve. Bizneset janë pesimiste lidhur me rikthimin në normalitet, që për pjesën më të madhe pritet të jetë pas më shumë se një viti.

Në këtë studim do të paraqitet situata aktuale e bizneseve shqiptare duke analizuar disa aspekte: ndikimin e pandemisë (karantinës) në aktivitetin e tyre ekonomik, ndikimin e politikave lehtësuese të qeverisë te bizneset, perceptimin që këta të fundit kanë lidhur me efektivitetin e këtyre politikave, si dhe pritshmëritë e bizneseve mbi të ardhmen e aktivitetit të tyre.

Gjithashtu, duke marrë parasysh vazhdimin e pandemisë dhe kërcënimin e agravimit të situatës në një të ardhme të afërt, kam analizuar edhe zgjedhjen individuale të zotëruesve të bizneseve midis rikthimit të regjimit të karantinës apo instalimit të aplikacioneve të gjurmimit, në rast se do të jetë e nevojshme. Faktorët që ndikojnë në këtë zgjedhje do të paraqiten me anë të një modeli empirik.

1.Të dhënat

 Të dhënat janë grumbulluar duke intervistuar individualisht biznese të kategorive dhe sektorëve të ndryshëm që operojnë në Shqipëri. Periudha e grumbullimit të të dhënave është nga data 26 maj 2020 deri në datën 13 korrik 2020, që korrespondon me periudhën pas karantinës. Të dhënat janë marrë në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës (CCIT), Business Albania, si dhe nga kontaktet personale me biznese të ndryshme.

Gjithsej janë intervistuar 255 subjekte. Kategoritë e bizneseve janë: biznese të mëdha që përbëjnë 20,8% të vëzhgimeve (53 biznese), biznese të mesme që përbëjnë 11,8% të vëzhgimeve (30 biznese), dhe biznese të vogla që përbëjnë 67,5% të vëzhgimeve (172 biznese).

Shumica e bizneseve të intervistuara operojnë në sektorin e “shitje/pakicë” që përbën 23,9% të vëzhgimeve. Më tej, sektorit të “ndërtimit” i korrespondojnë 10,6% të vëzhgimeve, ndjekur nga sektori i “restoranteve” dhe “shërbimeve të konsulencës, projektimit, supervizimit e të ngjashme” me 7,8% të vëzhgimeve.

Pyetjet janë drejtuar lidhur me tre aspekte: aspektin financiar dhe të ndikimit të drejtpërdrejtë të karantinës dhe masave si dhe protokolleve të ndërmarra pas karantinës, aspektin e politikave që qeveria ka ndërmarrë së fundmi për të përmirësuar situatën e bizneseve, dhe aspektin e pritshmërive që bizneset kanë për të ardhmen e aktivitetit të tyre.

 

PROTOKOLLET NDIKUAN NË ULJEN E NUMRIT TË KLIENTËVE PËR 68% TË TË ANKETUARVE

Pyetja e parë që u është drejtuar bizneseve lidhur me ndikimin e pandemisë në aktivitetin e tyre ka qenë “A ka pësuar biznesi juaj rënie të të ardhurave si pasojë e koronavirus?” Pyetjes i janë përgjigjur me “po” 78,3% e të intervistuarve (199 subjekte), dhe me “jo” 21,7% e të intervistuarve (56 subjekte). Rezultati është i pritshëm, pasi bizneset janë intervistuar menjëherë pas përfundimit të karantinës, dhe rezultatet reflektojnë ndikimin që pezullimi i një pjese të mirë të aktiviteteve të biznesit pati në të ardhurat e tyre.

Sektorët që rezultojnë më të prekur janë: kimikate dhe plastikë, vaj dhe gaz, fabrikë metali dhe makineri, transport dhe pajisje transporti, hoteleri-turizëm, informacion dhe komunikim, qendra sportive / palestra, shëndetësi / spitale / klinika dentare, dhe organizime eventesh / argëtim.

Bazuar në këto rezultate, sektorët e sipërpërmendur rezultojnë më të prekurit nga situata e pandemisë. Megjithatë, edhe aktiviteti i sektorëve të tjerë është prekur në mënyrë të dukshme, edhe pse disa prej subjekteve nga këta sektorë deklarojnë se nuk kanë pësuar rënie të të ardhurave. Nga rezultatet e marra, sektori më pak i prekur rezulton ai i “minierës dhe rafinerisë” ndjekur nga “shërbimet e konsulencës, projektimit e të ngjashme”.

Pyetjes: bizneset i janë përgjigjur si më poshtë:

-16,9% (43 biznese) deklaruan se protokollet e reja nuk kanë asnjë ndikim në aktivitetin e tyre.

-15,3% (39 biznese) deklaruan se protokollet e reja kanë ndikuar në uljen e produktivitetit të tyre.

-67,8% (173 biznese) deklaruan se protokollet e reja kanë ndikuar në uljen e numrit të klientëve të tyre.

 

 

POLITIKAT LEHTËSUESE TË NDËRMARRA NGA QEVERIA, PAK EFEKT TE BIZNESET

Në kuadër të lehtësimit të situatës së bizneseve, e cila u përkeqësua për shkak të pandemisë, qeveria ka ndërmarrë nismat e garancive sovrane 1 dhe 2, si dhe po finalizon nismën e amnistisë fiskale për bizneset. Garancitë sovrane konsistojnë në krijimin e mundësive të huamarrjes me kushte lehtësuese për bizneset, me qëllim që të paguajnë punonjësit në rast pamundësie aktuale për t’i paguar (garancia sovrane 1), si dhe me qëllim që të përmirësojnë likuiditetin (garancia sovrane 2).

Nga anketimi rezulton se ka pasur pak interes në përdorimin e garancive sovrane.

 

Për Garancinë Sovrane 1:

– Pyetjes “A jeni të informuar mbi paketën e parë të garancisë sovrane (lidhur me pagat) që ofrohet nga qeveria?” i janë përgjigjur me “po” 87,4% (221 biznese) dhe me ”jo” 12,6% (32 biznese). Ky rezultat është tregues i një shkalle relativisht të gjerë të informimit të bizneseve lidhur me ekzistencën e kësaj politike të ndërmarrë nga qeveria.

-Pyetjes “A jeni të interesuar të aplikoni për paketën e parë të garancisë sovranë?” i janë përgjigjur me “po” 22,7% (58 biznese) dhe me “jo” 77,3% (197 biznese). Këto përgjigje reflektojnë një mungesë interesimi në shumicën e rasteve për aplikimin për garancinë sovrane 1.

-Pyetjes “A i plotëson biznesi juaj kriteret për të aplikuar për këtë garanci?” i janë përgjigjur me “po” 22% (56 biznese), me “jo” 30,7% (78 biznese) dhe me “nuk e di” 47,2% (120 biznese). Rezultatet tregojnë se pothuajse gjysma e subjekteve të intervistuara nuk janë në dijeni nëse i plotësojnë apo jo kriteret e përftimit të garancisë sovrane 1. Kjo dëshmon mungesë informacioni që mund të vijë nga dy arsye: e para është për shkak të mosinteresimit të bizneseve për të aplikuar për garancinë sovrane 1, dhe e dyta për shkak të periudhës së shkurtër kohore brenda së cilës u publikuan dhe aprovuan garancitë sovrane.

-Pyetjes “A keni tentuar të aplikoni për paketën e parë të garancisë sovrane?” i janë përgjigjur me “po” 19,2% (49 biznese) dhe me “jo” 80,8% (206 biznese). Sikurse vërehet nga rezultatet, përqindja e bizneseve që kanë aplikuar për garancinë sovrane 1 është e ulët. Arsyet e kësaj shifre mund të lidhen me mungesën e informacionit të detajuar mbi mekanizmat, rreziqet dhe përfitimet e mundshme nga kjo garanci, mungesën e besimit që bizneset kanë lidhur me përfitimin që mund të kenë nga kjo skemë, mosplotësimin e kritereve të kërkuara për të përftuar këtë garanci, si dhe frikën e pamundësisë për të shlyer kredinë e marrë në të ardhmen.

-Pyetjes “Nëse keni tentuar të aplikoni për paketën e parë, a ka rezultuar aplikimi i suksesshëm?” i janë përgjigjur me “po” 10,6% (27 biznese), me “jo” 6,7% (17 biznese) dhe me “nuk kam aplikuar” 82,7% (211 biznese). Këto rezultate janë tregues i një përqindjeje të ulët të aplikimeve, që mund të vijë si rrjedhojë e arsyeve të sipërpërmendura. Ndërsa nga bizneset që kanë aplikuar për garancinë sovrane 1, aplikimi ka rezultuar i suksesshëm për vetëm 55% prej tyre.

 

Për garancinë sovrane 2:

-Pyetjes: “A jeni të informuar mbi paketën e dytë të garancisë sovrane që ofrohet nga qeveria?” i janë përgjigjur me “po” 79,6% (203 biznese) dhe me “jo” 20,4% (52 biznese). Ashtu si në rastin e garancisë sovrane 1, edhe në këtë rast, pjesa më e madhe e bizneseve janë në dijeni të ekzistencës së kësaj mundësie për kredimarrje.

-Pyetjes “A jeni të interesuar të aplikoni për paketën e dytë të garancisë sovrane?” i janë përgjigjur me “po” 25,1% (64 biznese) dhe me “jo” 74,9% (191 biznese). Krahasuar me të njëjtin tregues për garancinë e parë sovrane, vihet re një rritje e lehtë e bizneseve që janë të interesuara për të aplikuar, por kjo përqindje mbetet sërish në nivele të ulëta.

-Pyetjes “A i plotëson biznesi juaj kriteret për të aplikuar për garancinë e dytë?” i janë përgjigjur me “po” 22% (56 biznese), me “jo” 25,1% (64 biznese) dhe me “nuk e di” 52,9% (135 biznese). Edhe pse me një rritje të lehtë të të intervistuarve që shprehen se nuk e dinë nëse i plotësojnë kriteret për këtë garanci, trendi i përgjigjeve mbetet i njëjtë më atë të garancisë sovrane 1.

-Pyetjes “A keni tentuar të aplikoni për paketën e dytë të garancisë sovrane (në rast se është bërë aktive në momentin e plotësimit të pyetësorit nga ju)?” i janë përgjigjur me “po” 15,3% (39 biznese) dhe me “jo” 84,7% (216) biznese. Krahas faktorëve që kanë ndikuar edhe në mungesën e aplikimeve për garancinë sovrane 1, në këtë rast ka ndikuar edhe vonesa në mundësinë për të aplikuar për këtë garanci (që nga momenti i shpalljes nga qeveria). Duke qenë se të intervistuarit janë përgjigjur gjatë një periudhe prej më shumë se një muaji, disa prej tyre janë përgjigjur në momentin kur garancia sovrane 2 ka qenë e shpallur nga qeveria, por ende e pazbatueshme për shkak të vonesave në implementim nga sistemi bankar.

-Pyetjes “Nëse keni tentuar të aplikoni për paketën e dytë (në rast se është bërë aktive në momentin e plotësimit të pyetësorit nga ju) a ka rezultuar aplikimi i suksesshëm?” i janë përgjigjur me “po” 8,7% (22 biznese), me “jo” 5,1% (13 biznese) dhe me “nuk kam aplikuar” 86,2% (219 biznese).

Sikurse tregohet nga rezultatet, pjesa më e madhe e bizneseve kanë deklaruar se nuk kanë aplikuar për garancinë e dytë sovrane. Megjithatë, shkalla e aplikimit dhe aplikimet që kanë rezultuar të suksesshme për garancinë sovrane 2, do të mund të mateshin në mënyrë më të saktë gjatë një periudhe tjetër (deri në 6 muaj pas aktivizimit të plotë të mekanizmit të garancisë sovrane 2).

Pyetja e radhës, që lidhet me mekanizmin e garancive sovrane, ka të bëjë me frikën e pamundësisë për të shlyer kredinë e marrë në të ardhmen. Pyetjes “A keni frikë se nuk do të mund ta shlyeni në kohë kredinë e marrë nga paketat e garancisë sovrane?” i janë përgjigjur me “po” 47,1% (120 biznese) dhe me “jo” 52,9% (135 biznese). Rezultati është i pritshëm, pasi periudha e pandemisë nuk ka mbaruar dhe nuk ka ende një parashikim për kohëzgjatjen e kësaj periudhe.

Kjo rezulton në ekzistencën e paqartësisë lidhur me konsumatorët, sjelljen konsumatore dhe pritshmëritë e bizneseve për aktivitetet e tyre. Duke qenë se bizneset tashmë të dëmtuara nga periudha e izolimit, po përballen edhe me rënie të të ardhurave dhe paqartësi lidhur me të ardhmen, ata i druhen faktit se në një periudhë afatmesme apo afatgjatë, bizneset e tyre nuk do të mund të gjenerojnë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar shlyerjen e kredisë së marrë nga paketat e garancive sovrane. Gjithashtu, ky tregues është një faktor që ndikon edhe në numrin e lartë të bizneseve që kanë zgjedhur të mos aplikojnë për garancitë sovrane.

Më tej, bizneset janë pyetur nëse “mendojnë se garancitë sovrane të aprovuara janë një stimul i mjaftueshëm për të ndihmuar biznesin të rikthehet në normalitet.” Pyetjes i janë përgjigjur me “po” vetëm 14,5% (37 biznese) dhe me “jo” 85,5% (218 biznese). Këto rezultate tregojnë se bizneset e perceptojnë si jo të mjaftueshme ndihmën që mund të marrin nga garancitë sovrane për të përmirësuar aktivitetin e tyre.

 

Amnistia nuk i ndihmon bizneset të përmirësojnë aktivitetin e tyre

Duke qenë se paralelisht me garancitë sovrane, qeveria po ndërmerr edhe nismën e amnistisë fiskale, bizneset janë pyetur edhe për perceptimin e tyre mbi këtë nismë. Pyetjes “A mendoni se amnistia fiskale do të ndihmojë në përmirësimin e situatës ekonomike të biznesit tuaj” i janë përgjigjur me “po” 28,6% (73 biznese) dhe me “jo” 71,4% (182 biznese).

Edhe pse në dukje nisma e amnistisë fiskale do të duhet të ishte një mekanizëm ndihmues dhe nxitës për formalizimin e bizneseve, pjesa më e madhe e subjekteve deklarojnë se kjo nismë nuk i ndihmon në përmirësimin e aktivitetit të tyre. Arsyet që lidhen me këtë rezultat mund të ndahen në dy kategori. Së pari, bizneset të cilave u falen detyrimet e papaguara në njëfarë mënyre shndërrohen në “konkurrentë të pandershëm” për bizneset të cilat kanë paguar rregullisht detyrimet e tyre.

Pra, në një sistem ekonomie tregu, ku çdo pjesëmarrës supozohet të konkurrojë duke zbatuar të njëjtat rregulla, me aprovimin e amnistisë fiskale, bizneset të cilat përfitojnë nga kjo skemë janë më të favorizuara në treg në krahasim me bizneset të cilat nuk përfitojnë, pasi kanë paguar detyrimet e tyre në kohë. Kjo krijon deformim të sistemit të konkurrencës së lirë në treg, gjë e cila nuk mirëpritet nga të gjitha bizneset.

Së dyti, fakti që kjo amnisti fiskale po shoqërohet edhe me amnisti penale për deklarimin e parave të padeklaruara më parë, krijon krahas dëmtimit të konkurrencës së lirë, edhe kërcënimin e legalizimit të parave të gjeneruara nga aktivitete kriminale në ekonomi. Kjo gjë do të rriste edhe më shumë konkurrencën e pandershme dhe në kushte të pabarabarta për bizneset.

Monitor