Një ftesë e qartë për të tërhequr “ftesat e pjesëmarrjes në festival të Gerard Butler, Gal Gadot dhe çdo artisti apo të famshmi që mbështet publikisht dhe në mënyrë aktive gjenocidin. Hapësira duhet të vendoset në dispozicion të njërit prej delegacioneve tona që do të parakalojë në tapetin e kuq me flamurin palestinez.”
Kjo është një nga kërkesat për Festivalin e Venecias, e bërë nga një grup aktorësh, regjisorësh dhe aktivistësh të bashkuar nën akronimin V4P (Venice4Palestine), dokumenti i parë i firmosur nga mbi 1,500 personalitete të industrisë së kinemasë që kërkon një pozicion të qartë të festivalit për tragjedinë që po ndodh në Gaza, ndërsa të mërkurën pritet të nisë edicioni i 82-të që do të zgjasë deri më 6 shtator, shkruan Corriere della Sera.
Nga ana tjetër, përgjigjja thekson se “Bienalja e Venecias dhe Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Venecia ka qenë gjithmonë, përgjatë historisë së tij, një vend për diskutim të hapur dhe ndjeshmëri ndaj çështjeve më të forta në shoqëri dhe në botë”, ndërsa përmend fjalimet e presidentit Pietrangelo Buttafuoco dhe drejtorit artistik, Alberto Barbera.
Për mendimin e firmëtarëve, kjo është fare pak: “Komunikimi zyrtar i Bienales vazhdon të zgjedhë të mos përmendë Palestinën dhe gjenocidin në vijim, e aq më pak shtetin e Izraelit që po e cenon. Nëse Bienalja dëshiron vërtet të jetë një ‘vend për debatin e hapur dhe të ndjeshëm’, atëherë kjo hapësirë duhet që së pari të jetë një hapësirë për të vërtetën. Ne qartazi vlerësojmë praninë e filmave si ‘The Voice of Hind Rajab’ nga regjisori Kaouther Ben Hania, por nga ana tjetër habitemi sesi mund t’u bëjmë homazhe figurave si Gerard Butler dhe Gal Gadot, protagonistë të një filmi jashtë konkursit, që ideologjikisht dhe materialisht mbështesin veprat politike dhe ushtarake të Izraelit.”
Letra, e cila është firmosur nën emrin Venice4Palestine, shpreh kënaqësinë nga marrja e përgjigjes së dy seksioneve autonome dhe paralele të festivalit, “të dyja përgjigje mbështetëse dhe konstruktive”. Gjithashtu kërkon që artistëve palestinezë t’u jepet hapësirë gjatë ceremonisë hapëse për të dhënë dëshmi të drejtpërdrejta.
Njëkohësisht do të shprehet mbështetje për demonstratën Stop Genocide-Free Palestine që do të mbahet më 30 gusht në orën 17:00 në Lido.
Veç kërkesës për të tërhequr ftesat e Gadot dhe Butler, thirrja është gjithashtu që “Bienalja të ndërmarrë veprime të qarta dhe pozicione dhe të mos vijojë bashkëpunimin me organizatat që mbështesin qeverinë izraelite, në mënyrë direkte apo indirekte.”