Në Gjykatën e Posaçme të Apelit ka përfunduar seanca për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla.
Avokati ka kërkuar shpalljen e pafajshme të ish-kryeprokurorit dhe në pamundësi për ta bërë këtë, rishqyrtim edhe njëherë të çështjes në shkallën e parë.
Avokati gjithashtu ka kërkuar nga gjykata pranimin e provave të reja të dorëzuara nga Llalla, mes të cilave edhe raportin mjeko-ligjor për gjendjen shëndetësore, çka u refuzua nga gjykata.
Pasi u terhoq në Dhomë Këshillimi, Gjykata caktoi datën 22 shtator, ora 13:00 për seancën e radhës ku edhe do të jepet vendimi.
Llalla nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme.
Duke folur për mediat pas seancës, avokati Sokol Hazizaj, tha se pret nga Apeli të reflektojë mbi gabimet e tmerrshme të shkallës së parë teksa tha se klienti i tij ndodhet i shtruar një spital në vend pasi vuan nga një sëmundje e rëndë.
“Ka prevaluar gjithmonë opinioni dhe provat e stisura të organit procedurial të hetimit.Ka munguar parimi i paritetit që më çon jo në paragjykim por humbje besimi ndonjëherë te drejtësia. Sa i përket pyetjes ku ndodhet Llalla, i mbrojturi prej meje vuan nga një sëmundje e rëndë dhe është në regjim spitalor në Shqipëri. Pres nga Apeli të reflektojë mbi gabimet e tmershme të gjykatës së shkallës së parë sa i përket dhe mënyrës mospranuese, refraktare, ndaj provave tona dhe vëzhgimit në themel të çështjes. Jemi para një rasti suigeneris kur nuk pranohet deklarimi dhe konsiderohet ai si mosdeklarim”.
Në 20 maj të këtij vitit, GJKKO e dënoi ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla me dy vite burg dhe pesë vite heqje nga e drejta e ushtrimit të funksioneve publike.
GJKKO vendosi sot ta cilësojë “fajtor” ish-Prokurorin e Përgjithshëm për akuzën e “Deklarimit të rremë dhe fshehjes së pasurisë”, që do t’i sekuestrohet. Eshtë fjala për katër sipërfaqe toke, në total 22 mijë metra katrorë dhe një apartament në Durrës.