Arbër Hitaj, gazetari i parë shqiptar në krye të Shoqatës së Gazetarëve Europianë

0
18

Gazetari shqiptar Arbër Hitaj, është zgjedhur president i Shoqatës së Gazetarëve Europian AEJ, duke u bërë i pari shqiptar që merr drejtimin e kësaj organizate prestigjioze Europiane.

Vendimi unanim i ka dhënë atij drejtimin e kësaj shoqate prestigjioze, gjatë Asamblesë së 62-të të Shoqatës, e cila u zhvillua në Romë dhe mblodhi përfaqësues nga 20 vende të Europës.

Në një reagim publik, Hitaj shprehu falënderime të thella për mbështetjen ndërkombëtare dhe e cilësoi zgjedhjen një arritje personale të veçantë, por edhe një nder të madh për Shqipërinë.

Me një vendim unanim, Asambleja e 62 e Shoqatës së Gazetarëve Europian që u mbajt në Romë, me zgjodhi si Presidentin e saj të ri, duke më dhënë mundësinë të jem zëri dhe imazhi i qindra gazetarëve në 20 vende të Europës.

Një kënaqësi shumë e madhe personale dhe padyshim vlerësim për Shqipërinë dhe punën që kemi zhvilluar për të mbrojtur gazetarët. Kjo është hera e parë dhe besoj jo e fundit, që një gazetar shqiptar do të drejtojë një nga shoqatat më të vjetra në Europë për median. Kam vetëm falënderime për miqtë ndërkombëtarë për besimin.

Mbrojtja e lirisë së medias është një sfidë që ngjason me një maratonë, duhet përditë të hedhësh hapa konstant e të sigurt”, shkruan gazetari Hitaj.

Zgjedhja e tij shënon një moment të rëndësishëm për historinë e gazetarisë shqiptare, pasi për herë të parë një gazetar nga Shqipëria do të drejtojë një nga shoqatat më të vjetra të medias në Europë.

Shoqata e Gazetarëve Europian, e themeluar për të mbrojtur të drejtat e gazetarëve dhe për të garantuar lirinë e shprehjes, ka një rol thelbësor në adresimin e sfidave me të cilat përballet media sot.