Në emisionin “Arbitrazh”, është bërë denoncimi nga i burgosuri Petro Gegolli, i cili u dënua me 8 vite burg për një aksident të shkaktuar në vitin 2017 në fshatin Progër të Devollit, ku viktimë mbetën dy vëllezër.
Denoncimi vjen për gjendjen e tij shëndetësore tejet të vështirë. Eksperti i Institutit të Mjekësisë Ligjore ka konstatuar gjendjen shëndetësore të 61-vjeçarit dhe rezulton se Gegolli vuan nga disa sëmundje, duke përfshirë dhe depresionin bipolar, diabetik, cirroza në mëlçi dhe disa të tjera.
Sipas ekspertit i dënuari nuk mund të trajtohet në IJVP Drenovë.
I pyetur nga gjyqtari nëse një njeri që vuan nga sëmundje të tilla do ishte më e shëndetshme që të jetonte në shtëpi në liri, apo i kufizuar në liri, eksperti është përgjigjur se të dënuarit i rrezikohet seriozisht jeta.
Megjithëse 61-vjeçari ka rrëfyer se ka hemorragji të shpeshta, ai tregon se dhe mjekët nuk i përgjigjen.
Familja e Gegollit iu drejtua emisionit pas refuzimit të kërkesës së tyre ku kanë kërkuar që familjari i tyre ta vuajë pjesën tjetër të dënimit, 1 vit e 3 muaj burg në shtëpi, kjo për shkak të problemeve të shumta shëndetësore që ai vuan.
Vajza e tij ka treguar sëmundjet që vuan 61-vjeçari teksa ajo ka folur edhe për gjendjen jo të mirë të nënës së saj.
Gjykata e ka rrëzuar kërkesën e tij për të vazhduar dënimin në shtëpi, duke lejuar kundërshtimin në Apel.
Shtetasi Petro Gegolli mundet të trajtohet në qendrën spitalore të burgjeve Tiranë.
Gjyqtari- A mundet ti përgjigjen edhe kësaj ekspertët, për një njeri që vuan nga sëmundje të tilla do ishte më e shëndetshme që të jetonte në shtëpinë liri, apo i kufizuar në liri?
Eksperti IML – Në spitalet e burgjeve. Atij i rrezikohet jeta, situatë është serioze, e kemi cilësuar në gjendje të rëndë shëndetësore.
I dënuari – Doktor mundet të bëjë një pyetje?
Gjyqtari – Po, bëja një pyetje.
I dënuari – Sa herë kam pasur hemorragji dhe kur është shkëputja e fundit? Se a e menazhoj a se menazhoj?
Eksperti IML – Ju gjithmonë që bëni hemorragji, duhet të jeni nën trajtimin spitalor. Nuk e menaxhon vetë hemorragjinë. Nuk e menaxhon dot vetë hemorragjinë, trajtimi yt është trajtim spitalor.
Gjyqtari – Doktor, në qoftë se personi do ishte në liri në gjendje të tillë shëndetësore aktuale do ishte e rekomanduar që të qëndronte në spital, apo diku afër spitalit për të shmangur situatat që ka.
Eksperti IML- Normalisht në spitalin e burgut.
I burgosuri – Unë thërras doktorin, doktori nuk vjen fare?
Gjyqtari – Ata janë problematika që kanë të bëjnë me sistemin e burgjeve në qoftë se janë të tilla.
Avokati – Desha të konstatoj që është hera e parë që dëgjoj personi është më i rrezikuar duke qenë jashtë se sa të qëndroj në ambientet e burgut.
Gjyqtari – Gjykata pasi u kthye nga dhoma e këshillimit në zbatim të nenit 59/a të Kodit Penal si dhe nenin 171 të Kodit Procedurës penale vendosi: Rrëzimin e kërkesës së ankimuar nga Petro Gegolli për qëndrim në shtëpi. Kundër këtij vendimi lejohet aplikimi në gjykatën e Apelit të juridiksionit të Përgjithshëm brenda 15 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.
U shpallë sot me 6 qershor 2023. IVP mund të marrë kopje të ekspertimit ligjor ose vendimit gjyqësor dhe verifikoni trajtimin shëndetësor të këtij shtetasi për rrethanat kur ekspertët kanë thënë nuk mundet të trajtohen në IVP vetëm në qendrën e trajtimit spitalor të burgjeve. Pra, ju duhet të merrni masa në raport me gjendjen e tij shëndetësore të ofroni trajtimin mjekësor. Keni marrë pjesë në seancë, keni dijeni lidhur me këtë akt konstatimi ekspertimi duhet të merrni masa. Gjykimi deklarohet i mbyllur.