Barcelona mposhti 3-1 Napolin dhe u kualifikua në çerekfinalet e Champions League, raund në të cilin do të ndeshet me Bayern Munchen, sfidë që do të luhet në Lisbonë me të premten e 14 gushtit.
Leo Messi realizoi një eurogol kundër ekipit të Gattusos, teksa ka “shënuar” një gol edhe më të bukur jashtë fushave. Argjentina e tij po vuan shumë nga pandemia e koronavirusit, njësoj si të gjithë vendet e Amerikës Latine në këtë periudhë.
Mbi 246 mijë persona janë infektuar dhe 4634 prej tyre kanë humbur jetën. “Pleshti” ka vendosur të japë kontributin e tij në këtë moment të vështirë.
Nëpërmjet fondacionit të tij, ylli i Barcelonës ka dhuruar 50 respiratorë artificialë për spitalet e Rosarios, me 32 prej tyre që kanë mbërritur në aeroportin e qytetit të vendlindjes të premten e kaluar. /abcnews.al