Një 44-vjeçar në Elbasan është arrestuar ditën e sotme pasi në shtëpinë e tij janë gjetur një arsenal armës.
Policia bën me dije se në kuadër të operacionit “Kral”, ka rënë në pranga shtetasi G.D., 44 vjeç, banues në lagjen “Visarion Xhuvani” Elbasan.
Njoftimi i plote
Finalizohet operacioni policor i koduar “Kral”, për goditjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo i mbajnë në banesë pa leje. Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Elbasan në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan.
Sekuestrohet një armë zjarri kallashnikov, një pushkë sportive me dylbi, municion luftarak e sende të tjera të kundraligjshme. Vihet në pranga një 44 vjeçar. Në zbatim të planit të masave për kontrollin e personave që mbajnë armë pa leje, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative dhe ndjekjen me metoda proaktive, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Kral” në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: -G.D., 44 vjeç, banues në lagjen “Visarion Xhuvani” Elbasan.
Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të banesës së 44 vjeçarit, gjetën e sekuestruan një armë zjarri kallashnikov, një pushkë sportive me dylbi, rreth 500 copë fishekë luftarak për pistoletë, kallashnikov e mitraloz, një përforcues grushti,një thikë dhe 7 karikatorë. Provat e mësipërme janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë për t’u ekzaminuar nëse janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.
Gjithashtu po vazhdon puna për dokumentimin e mëtejshëm ligjor të kësaj ngjarje dhe të aktivitetit kriminal të këtij shtetasi nëse është i implikuar në ngjarje kriminale të ndodhura më parë.
Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme hetimore Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.