Dy persona janë arrestuar ditën e sotme pas finalizimit të operacionit “Ruger”. Ata akuzohet se mbanin armë dhe sende të tjera të paligjshme në ambjentet e banesave të tyre.
Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: Kristjan Gjini, 25 vjeç dhe Franceska Kolgjegja, 22 vjeçe, aktualisht banues me qira, në Tiranë.
Policia ka sekuestruar 7 armë zjarri, 4 silenciatorë, municion luftarak, krehra, lëndë e dyshuar narkotike, 2 radio si ato të Policisë, dorashka, 7 maska, një thikë, dokumente të dyshuara të falsifikuara, targa të huaja dhe 2 automjete.
“Shërbimet e Policisë, në bulevardin “Gjergj Fishta”, kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin K. Gj., të cilit gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të ushtruar në 2 banesa të ndryshme, të marra me qira nga ky shtetas (në njërën prej të cilave jetonte Kolgjegja.), shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 4 armë zjarri pistoleta, 2 armë zjarri automatike, 4 silenciatorë, 7 maska, 2 radio si ato të Policisë, një thikë, sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, fishekë të kalibrave të ndryshëm, dorashka, krehra, dokumente të dyshuara të flasifikuara, targa të huaja dhe 2 automjetet që përdornin shtetasit e arrestuar,” njoftoi policia.
Po punohet për identifkimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.