Armëpushim ‘vetëm’ për botëror, FIFA kërkon paqe për Kupën e Botës në Katar

0
98

5 ditë përpara nisjes së kampionatit botëror në Katar, kreu i FIFA-s bën thirrje për armëpushim të përkohshëm në Ukrainë. Ndërsa 5 miliardë njerëz pritet që ta ndjekin turneun në televizor, Infantino u tha liderëve të G20 që të ndikojnë te Moska e Kievi për të vendosur paqe për një muaj

Federata Botërore e Futbollit i ka kërkuar Moskës dhe Kievit të bëjnë armëpushim njëmujor ndërsa në Katar pritet të mbahet kampionati botëror.

Me shpresën se futbolli do t’i bashkojë njerëzit, presidenti i FIFA-s Gianni Infantino u tha liderëve të G20-s që të ndikojnë për armëpushim të pjesshëm.

“Lutja ime për të gjithë ju është të mendoni për një armëpushim të përkohshëm për një muaj, përgjatë mbajtjes së Kupës së Botës, ose të paktën implementimin e disa korridoreve humanitare ose diçka që mund të çojë në rinisjen e dialogut,” tha ai.

FIFA e pezulloi Rusinë disa ditë pas sulmit të saj në Ukrainë, duke i larguar rusët nga ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës.

Kupa e Botës nis të dielën në Katar.

Vendi është përballur me kritika të mëdha për shkak të dyshimeve të shkeljes së të drejtave të njeriut, sidomos të punëtorëve që kanë ndërtuar stadiumet.

Grupet e të drejtave të njeriut, përfshirë Amnesty International javën e kaluar i bënë thirrje Infantino-s që të krijojë një program rehabilitimi të FIFA-s për të kompensuar punëtorët.

Infantino mbrojti rekordin e Kupës së Botës, duke thënë se qindra mijëra punëtorë gëzojnë kushte më të mira se disa vite më parë.

Katari ka akuzuar kritikët e tij për racizëm dhe tha se tashmë po shpërndante qindra miliona dollarë për paga të papaguara.

Si pjesë e reformave, mbretëria e pasur me gaz i ka dhënë fund sistemit të saj shumë të kritikuar në të cilin punëtorët nuk mund të ndryshonin punë ose të largoheshin nga vendi pa lejen e punëdhënësit të tyre.