Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, ka nisur verifikimet me iniciativë për rastin e ndalimit të avokatit Ulian Barjami. Ky i fundit u lirua nga qelia pasditen e djeshme pasi u ndalua nga Oficerët e Policisë Gjyqësore pas një padie të ngritur nga prokurori Gjergji Ceka, me pretendimin se ishte kërcënuar nga avokati gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën e Elbasanit.
Inspektorë të ILD-së kanë shkuar sot në Elbasan për të administruar praktikën dhe rrethanat proceduriale të ndalimit të avokatit.
Barjami u ndalua dy ditë më parë pas kallëzimit të depozituar në prokurori nga prokurori Ceka duke pretenduar se ishte kërcënuar në seancë. Ditën e djeshme Gjykata e Elbasanit urdhëroi menjëherë lirimin e tij nga qelia duke argumentuar vendimin se nuk ka asnjë arsye për mbajtjen në izolim të avokatit.
‘Do të merrem personalisht me ty’, është deklarata që Ulian Barjami ka bërë në seancë më 13 tetor, drejtuar prokurorit Gjergji CekA.
Avokati pretendonte se Ceka kishte paraqitur prova të pavërteta për klientin e tij dhe këtu nisi dhe përplasja.
Ndalimi i Ulian Barjamit bëri që të gjithë avokatët e Shqipërisë me vendim të Dhomës së Avokatisë, të bojkotonin për 5 ditë seancat, nisur nga dje e deri më datë 25, përjashtuar këtu seancat për caktimin e masës së sigurisë.
Haxhia gjithashtu vuri në dukje mosreagimin e pushtetit gjyqësor, të cilët pavarësisht se janë të mirëinformuar për rastin, nuk kanë bërë asnjë reagim.
- “Mund të them që kjo ka gjetur mbështetjen jo vetëm në opinion publik por dhe tek kolegët, kemi vënë në dijeni dhe CCBE-në (përfaqësuesi zyrtar i profesionit ligjor në Komunitetin Evropian), të cilët janë të shqetësuar për këtë rast dhe janë të gatshëm të dërgojnë një ekip për të verifikuar rastin.
- Në cilësinë e kryetarit bëra prezent misionin dhe qëllimin e bojkotit. Janë të lirë mendimet e gjithësecilit. Avokatia funksionon në bazë të strukturave dhe organeve drejtuese.
- Falënderoj të gjithë kolegët për respektimin të vendimit të marrë nga komiteti drejtues nëpërmjet jush duke ju falënderuar që përcollët ketë situatë. Bëj me dije që jam i shqetësuar me trajtimin e çështjes nga prokuroria e Elbasanit që e mban çështjen dhe nuk e çon në prokurorinë më të afërt për shkak të konfliktit të interesave.
- Qëllimi jonë nuk është për të vënë përpara përgjegjësisë gjyqtare, prokuror apo Oficerët e Policisë Gjyqësore, por ti detyrojmë që të zbatojnë ligjin.
- Lidhur me Oficerin e Policisë Gjyqësore dhe prokurorin, është në vullnetin e personit që ka qenë i ndaluar për të vazhduar procesin. Jam shumë i keqardhur drejtuesit të pushtetit gjyqësor që nuk kanë marrë asnjë kontakt dhe pe janë vënë në dijeni në rrugë zyrtare, kjo tregon inaktivitetin e këtyre organeve. Edhe klientët na kanë mbështetur. Kupa është mbushur dhe nëse do ë ketë një tjetër rast, ju garantoj që do të abandonohen të gjitha proceset për muaj”, tha Maks Haxhia.
Edhe pse avokati Barjami u lirua nga qelia ditën e djeshme, bojkoti ka vijuar nga avokatët. Sot asnjë avokat nuk u paraqit për të marrë pjesë në as në seancën paraprake për Erion Veliajn.


