Arrestimi i avokatit Uljan Bajrami pas debatit në gjyq, ILD përfundon hetimet: Shkelje etike nga ana e prokurorit të Elbasanit

0
61

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka përfunduar verifikimin e nisur kryesisht, të informacionit të bërë publik në media, ku ngrihen pretendime për shkelje etike, parashikuar nga neni 102, pika 2, gërma “dh” e ligjit nr. 96/1016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nga ana e prokurorit z. Gjergj Ceka dhe nga ana e gjyqtares znj. Megi Strakosha, me avokatin z. Ulian Bajrami, gjatë debatit të zhvilluar në seancën e datës 17.10.2025 në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasit M. L. (S.)., që përfundoi me arrestimin e avokatit.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë vlerëson paraprakisht se faktet (veprimet apo mosveprimet e magjistratit), të cilat mund të përbëjnë shkelje disiplinore, sipas kërkesave të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, nuk janë vetëm ato që parashtrohen në bazë të një informacioni publik, por janë ato që analizohen nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, apo vlerësohen në bazë të një procesi verifikimi apo hetimit disiplinor. Në bazë të një informacioni publik mund të paraqiten një tërësi faktesh, të cilat pretendohet se kanë ndodhur dhe që përbëjnë shkelje disiplinore, por Inspektori i Lartë i Drejtësisë, mund të bëjë një cilësim të saktë apo të ndryshëm të fakteve dhe veprimeve, që lidhen me shkeljen disiplinore, pa u lidhur me përcaktimin, që mund të pretendohet në këtë informacion publik.

Në kuadër të verifikimit të këtij rasti, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka administruar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, kopje të procesverbalit të seancës gjyqësore, ku kanë qenë të pranishëm 14 persona, për të cilët do të vleftësohej ligjshmëria e arrestimit në flagrancë dhe do të caktohej masa e sigurimit personal. Debati ndërmjet avokatit dhe prokurorit me pyetje, përgjigje dhe ndërhyrje të shpeshta të ndërsjellta ndërmjet tyre, ka nisur pas pyetjes së personit nën hetim M. L (S.,) i cili mbrohej nga avokat Ulian Barjami. Debati ndërmjet avokatit dhe prokurorit, i shoqëruar herë pas here edhe me ndërhyrjen e personit nën hetim M. S., ka patur si fokus “shprehjet/fjalët e thëna nga personi nën hetim shtetasi M. S., ndaj punonjësve të policisë në momentin e kapjes në flagrancë”, që përfshinin edhe shprehje kërcënuese me jetë. Debat (pyetje, përgjigje, ndërhyrje) është zhvilluar edhe ndërmjet avokatit dhe gjyqtares së çështjes, për të sqaruar kontekstin e përdorimit të këtyre shprehjeve/fjalëve ndaj policisë, nga ana e personit nën hetim të mbrojtur prej tij në momentin e kapjes në flagrancë. Debati përmbante qëndrime nga avokati, se do të merrej personalisht me prokurorin e të gjithë oficerët e policisë dhe kundërpërgjigjen e prokurorit, se avokati do arrestohej për këto deklarime. Rezulton që gjyqtarja t’i ketë tërhequr vëmendjen avokatit dhe prokurorit lidhur me etikën në sjellje ndaj njëri-tjetrit e për t’u fokusuar tek faktet, duke nënvizuar se janë ato që bindin gjykatën,

Në analizë të veprimit e mosveprimit të magjistratit në raport me standardet etike dhe rregullat e sjelljes, Inspektori i Lartë i Drejtësisë vlerëson se dispozitat e ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, të cilat parashikojnë shkeljet disiplinore, nuk mund të interpretohen në mënyrë të kufizuar, por duhet të interpretohen dhe zbatohen në mënyrë të zgjeruar. Kjo për faktin se nuk është e lehtë të precizohet përmbajtja e saktë e veprimeve/ mosveprimeve (sjelljeve) dhe as nuk ekziston një përkufizim shterues, përveçse ekzistencës së një numri shembujsh të përcaktuar në Standardet e Etikës dhe Rregullave të Sjelljes së Prokurorit.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë vlerëson se sjellja e magjistratëve mbetet shumë e rëndësishme, pasi magjistrati duhet të ketë besim të plotë, duhet të jetë i ndërgjegjshëm se funksioni dhe i roli i tij nuk mund të jetë thjesht një profesion, por është një model sjellje apo mënyrë jetese, që mbart vlera, të cilat jo vetëm duhet të transmetohen, por edhe të shfaqen në publik gjatë gjithë kohës. Për këtë arsye, magjistratët duhet të sillen dhe veprojnë në çdo kohë në përputhje me vlerat etike dhe morale.

Nga verifikimi i rastit:

Rezulton që prokurori të mos jetë vetëpërmbajtur dhe të ketë shkelur rregullat e solemnitetit dhe etikën në komunikim. Marrja e fjalës disa herë në seancë pa lejen e gjykatës, pavarësisht se është formë reagimi e nxitur nga thëniet dhe shprehjet e avokatit, nuk ka qenë në nivelin më të lartë të standardeve etike. Standardet etike nuk zbatohen vetëm gjatë përmbushjes së detyrave e respektimit të ligjit si çdo person tjetër, por edhe duke u sjellë me integritet, ndershmëri, vetëpërmbajtje dhe diskrecion, si gjatë dhe jashtë ushtrimit të detyrës. Personaliteti i magjistratëve si dhe respektimi në mënyrë strikte i standardeve etike në punë e jashtë saj kanë rëndësi të jashtëzakonshme për besueshmërinë ndaj individëve, pjesëmarrësve në procese gjyqësore, sistemit të drejtësisë në tërësi si dhe vetë autoritetin e institucioneve shtetërore në veçanti.
Mbahet në konsideratë fakti se shkaku i nisjes së debatit dhe fokusi i tij kanë qenë shprehjet e përdorura ndaj policisë nga personi nën hetim në momentin e kapjes në flagrancë, fakti se nga ana e mbrojtësit në debatin me prokurorin janë ngritur ndaj tij akuza të drejtpërdrejta në lidhje me një prej provave e pretenduar si e falsifikuar, (debat gjatë të cilit një shprehje e avokatit është cilësuar nga gjyqtarja si “kërcënim në sallën e gjyqit”), si dhe fakti se situata në vend në këtë periudhë ndaj zyrtarëve të drejtësisë ka qenë e rëndë, për shkak të vrasjes së  gjyqtarit A. K.
Rezulton se si pasojë e komunikimit jo në nivelin më të lartë të standardeve etike nga ana e magjistratit, nuk ka ardhur ndonjë pasojë konkrete në lidhje me ushtrimin e funksionit të prokurorit, si dhe rolit të tij si magjistrat, si dhe sjellja e prokurorit ka pasur karakter të izoluar dhe ka ndodhur vetëm një herë, si dhe nuk ka krijuar terren për sjellje të papërshtatshme edhe në rastet të tjera të ngjashme. Në të njëjtën kohë, rezulton se prokurori ka një vjetërsi në detyrë prej 5 vitesh, një periudhë kjo relativisht e shkurtër e përvojës së tij si magjistrat prokuror.

Ndërkohë, lidhur me sjelljen e gjyqtares znj. Megi Strakosha, gjatë drejtimit të seancës së datës 17.10.2025, nga verifikimi i rastit vlerësohet se nga ana e gjyqtares znj. Megi Strakosha nuk konstatohet të jenë shkelur rregullat e solemnitetit, rregullat e sjelljes në marrëdhënie me palët apo rregullat e etikës.

Rezulton që gjyqtarja t’u ketë tërhequr vëmendjen, si prokurorit ashtu edhe avokatit të palës, rezulton të ketë kërkuar sqarim të situatës, si nga avokati edhe nga prokurori, si dhe rezulton të ketë vepruar në përputhje me parashikimet e nenit 341 i K. Pr. Penale, pasi detyrë e saj ka qenë garantimi i respektimit të autoritetit të gjykatës, solemnitetit të gjykimit dhe sigurisë në sallë, si dhe shmangia e çdo fyerjeje, kërcënimi në gjykim dhe kur ajo ka konstatuar veprime që cenojnë solemnitetin e gjykimit, ka paralajmëruar për pasoja, si largimin nga salla të avokatit dhe caktimin e një avokat tjetër kryesisht, nëse avokati do të vijonte me të njëjtin komunikim.

Nga analiza e të dhënave të grumbulluara nga verifikimi, nuk konstatohen paraprakisht elementë juridikë apo faktikë, të cilët i krijojnë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë një dyshim të arsyeshëm për fillimin e hetimit disiplinor ndaj magjistratit prokuror z. Gjergji Ceka, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan dhe ndaj magjistrates gjyqtare znj. Megi Strakosha me detyrë gjyqtare e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan në kohën e kryerjes s shkeljes së pretenduar. Për këtë shkak, informacioni i bërë publik në media lidhur me pretendimet e ngritura për shkelje etike, duhet të arkivohet bazuar në nenin 122/4 të këtij ligji.

Lidhur me shkeljen e rregullave të etikës nga magjistrati z. Gjergji Ceka, rasti do t’i referohet Këshillit të Lartë të Prokurorisë për t’u marrë në konsideratë në vlerësimin etik-profesional për këtë magjistrat, sipas kërkesave të nenit 77 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Tch