Policia e Durrësit ka njoftuar zyrtarisht arrestimin e Indrit Cërlojt, ish-drejtorit të IEVP Durrës, pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci.
Autoritetet kanë njoftuar se Cërloj është lokalizuar dhe vënë në pranga, ndërsa ai akuzohet për shpërdorim të detyrës.
Po ashtu policia ka njoftuar se është caktuar arrest shtëpiak për shtetasen Ylfete Sema, me detyrë doktoreshë në IEVP Durrës.
Njoftimi i policisë:
Ekzekutohet masa e sigurisë edhe për doktoreshën e IEVP Durrës.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen e shtetasit I. C., 48 vjeç, banues në Durrës, ish-drejtor i IEVP Durrës.
Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me vendimin nr. 19/1, datë 15.01.2026, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Gjithashtu, me të njëjtin vendim, kjo gjykatë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për shtetasen Y. S., 66 vjeçe, banuese në Durrës, doktoreshë në IEVP Durrës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.


