Janë vënë në pranga dy zyrtarë të Burgut të Peqinit. Gazetari Aldo Kozarja mëson se bëhet fjalë për ish-shefin juridik Gani Shehu dhe kartelistin Lulzim Kadiu.
Dy zyrtarët janë arrestuar për falsifikim të kartelave të punësimit. Dyshohet se Shehu dhe Kadiu kanë falsifikuar kartelat e disa të burgosurve, mes të cilëve është edhe Viktor Ymeri, personazh i njohur në botën e krimit.
Ata i kanë shtuar më shumë orë pune këtij të dënuari, që të përfitonte lirinë.
Kujtojmë se Viktor Ymeri u lirua nga gjykata e Elbasanit në 27 dhjetor të 2019 pasi ishte dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Arben Pajës e Ilir Xhungës. Vendimi i gjykatës së Elbasanit shkaktoi mjaft reagime në publik për shkak të së shkuarës së Ymerit dhe lidhjeve të tij me grupet kriminale të Vlorës.
Aso kohe, gjykata ka marrë në konsideratë punën që Ymeri ka bërë gjatë kohës që ndodhej në burg duke ia zbritur atë nga dënimi. Megjithatë duket se numri i orëve të punës që ka bërë Ymeri ka qenë i falsifikuar.
Një muaj para se të merrte vendimin për lirimin e Ymerit, gjykata e Elbasanit kishte vendosur që t’i njihte atij ditët e punës së kryera në burgun e Peqinit, të cilat konvertohen në 5 muaj e 16 ditë burg. Këto ditë burgu janë zbritur nga totali i dënimit ndaj Ymerit, gjë e cila çoi në lirim.
Viktor Ymeri u arrestua në vitin 1999 me akuzën e vrasjes me dashje duke u dënuar fillimisht me 25 vite burg. Disa vite më vonë, teksa ishte në burg, ndaj tij u dha edhe një vendim me 24 vite burg nga një gjykatë italiane sërish me akuzën e vrasjes.
Në vitin 2017, Ymeri i kërkoi gjykatës së Durrësit që të bashkonte dy vendimet. Kërkesa e tij u pranua dhe përfundimisht u dënua me 25 vite burg. Pas dy viteve shqyrtim nga shkalla e parë në apel, kjo e fundit vendosi në maj 2019 pranimin e kërkesës për bashkimin e dënimeve duke theksuar se atij i kishin mbetur edhe 3 muaj e 20 ditë burg.
Praktikisht, sipas këtyre vendimeve, Ymeri duhej të lirohej nga burgu në shtator 2019, por kjo nuk ndodhi pasi atij nuk i ishin zbritur ditët e burgut nga puna që kishte bërë në burgun e Peqinit. Ka qenë vendimi i datës 27 nëntor 2019 që i zbriti atij ditët e burgut për shkak të punës së bërë në burg që çoi në arsyetimin e gjykatës në 27 dhjetor për lirimin përfundimtar të Viktor Ymerit. /abcnews.al/