Elbasan/Finalizohet operacioni policor i koduar “Night ”.
Vodhi sende me vlerë dhe para në një banesë, si dhe materiale në një magazinë, kapet menjëherë pas kallëzimit të pronarit të banesës, 31-vjeçari.
Disa nga sendet e vjedhura në banesë, 31-vjeçari i kishte fshehur te lokali që administronte.
Në vijim të punës hetimore dhe operacionale, me objektiv identifikimin dhe nxjerrjen e autorëve të vjedhjeve, përpara përgjegjësisë penale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan finalizuan operacionin policor të koduar “Night”, si rezultat i të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi Xh. M., 31 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas:
-më datë 19.10.2025, ka hyrë në banesën e shtetasit E. L., në lagjen “Katund i Ri”, kur nuk kishte shtetas aty, dhe ka vjedhur sende me vlerë dhe shuma parash, rast për të cilin pronari i banesës kallëzoi dje, në polici. Gjatë kontrollit të kryer në lokalin që administronte 31-vjeçari, u gjetën disa prej sendeve me vlerë të dyshuara të vjedhura në këtë banesë;
-më datë 05.11.2025, ka vjedhur materiale në një magazinë në lagjen “Katund i Ri”.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi, në fushën e vjedhjeve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.


