Arrestohet kryebashkiaku i Stambollit, dyshohet për korrupsion

0
2

Policia turke arrestoi të mërkurën kryebashkiakun e Stambollit Ekrem Imamoğlu, një rival kryesor i presidentit Rexhep Tajip Erdogan, raportuan mediat shtetërore, si pjesë e një hetimi për lidhjet e dyshuara për korrupsion dhe terrorizëm

Agjencia shtetërore Anadolu raportoi se prokurorët lëshuan gjithashtu urdhër për 100 persona të tjerë, identitetet e të cilëve nuk bëhen ende të ditur.

Autoritetet mbyllën disa rrugë në Stamboll dhe ndaluan demonstratat në qytet për katër ditë në një përpjekje të dukshme për të parandaluar protestat pas arrestimit.

Imamoğlu postoi një video të mërkurën në mëngjes duke reaguar me sa duket ndaj lëvizjes, me mbishkrimin “Një goditje ndaj vullnetit të kombit”.

Imamoğlu, 53 vjeç, “u arrestua dhe tani ndodhet në komisariatin e policisë”, tha një ndihmës shtypi për Agence France-Presse.

Partia kryesore e opozitës, Partia Popullore Republikane (CHP) është planifikuar të mbajë zgjedhjet paraprake më 23 mars, në të cilat Imamoğlu pritej të zgjidhej si kandidati i saj presidencial.

Votimi i ardhshëm presidencial është planifikuar për në vitin 2028, por zgjedhjet e parakohshme janë të mundshme.

“Ne po përballemi me tirani të madhe, por dua që ju të dini se nuk do të dekurajohem”, tha Imamoğlu më herët të mërkurën në një video-mesazh të postuar në mediat sociale. Ai akuzoi qeverinë për “uzurpim të vullnetit” të popullit.

Kryetari i CHP-së, Özgür Özel, denoncoi ndalimin e Imamoğlu si një “grusht shteti”.

“Aktualisht, ekziston një fuqi për të parandaluar kombin të përcaktojë presidentin e ardhshëm,” tha ai.

“Ne po përballemi me një tentativë grusht shteti kundër presidentit tonë të ardhshëm”.

Arrestimi pasoi një kontroll në shtëpinë e Imamoğlu të martën, i cili erdhi një ditë pasi një universitet shpalli të pavlefshme diplomën e tij, duke skualifikuar në fakt figurën popullore të opozitës nga kandidimi në garën e ardhshme presidenciale. Të kesh një diplomë universitare është një parakusht për të kandiduar në zgjedhje sipas ligjit turk.

Universiteti i Stambollit anuloi diplomën e Imamoğlu-së, duke përmendur parregullsi të dyshuara në transferimin e tij në vitin 1990 nga një universitet privat në Qipron veriore në fakultetin e tij të administrimit të biznesit.

Ai e quajti vendimin e universitetit “të paligjshëm”, duke këmbëngulur se ai nuk ka autoritetin për të anuluar diplomën. Lëvizja e universitetit është perceptuar gjerësisht si e motivuar politikisht.

“Ditët kur ata që morën këtë vendim do të japin llogari përpara historisë dhe drejtësisë janë afër. Marshi i popullit tonë, i etur për drejtësi, ligj dhe demokraci, nuk mund të ndalet”, shkruan ai në X.

Ai më vonë sugjeroi gjithashtu se vendimi ishte marrë nën presionin e qeverisë së Erdoganit dhe ngriti shqetësime për pavarësinë e gjyqësorit. Ai tha se kishte në plan të kundërshtonte vendimin.