Arrestohet në Itali vëllai i deputetes së PD

0
2

Markelian Hoti, vëllai i deputetes demokrate Elda Hoti, është vënë në pranga në periferi të Romës, në zbatim të një urdhër-arresti europian për trafik ndërkombëtar droge.

27-vjeçari shqiptar, i shpallur në kërkim në disa vende të Europës, u arrestua në zonën Ponte di Nona, në lindje të kryeqytetit italian. Sipas raportimeve të mediave italiane, ai ishte strehuar në një hotel së bashku me partneren e tij.

Autoritetet dyshojnë se Hoti kishte rol të rëndësishëm në një organizatë kriminale që trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës. Sipas hetimeve, lënda narkotike mbërrinte fillimisht në portin e Anversës në Belgjikë dhe më pas transportohej drejt destinacioneve të tjera, përfshirë Dubain, me automjete luksoze.

Emri i tij doli në skenë pas sekuestrimit të 50 kilogramëve kokainë të fshehura në kontejnerë në portin e Anversës. Pas këtij operacioni, ai rezultonte i zhdukur.

Në muajin janar ishte lëshuar ndaj tij një urdhër-arrest europian për akuzën “organizatë kriminale për trafik narkotikësh”, vepër që sipas legjislacionit përkatës parashikon dënim deri në 15 vite burg.

Arrestimi erdhi pas një operacioni të koordinuar nga Interpol dhe njësia e antidrogës në Romë. Mediat italiane raportojnë se ai kishte arritur të qëndronte “në hije”, pasi pronari i hotelit ku ishte akomoduar nuk kishte regjistruar të dhënat e tij në sistemin elektronik “Alloggiati Web”, duke e bërë të vështirë identifikimin nga autoritetet.

Pas verifikimit të identitetit, Hoti është dërguar në burg, ku do të qëndrojë në pritje të procedurave për ekstradimin drejt Belgjikës.

Ardit Murataj