
Një shtetas shqiptar është arrestuar në Greqi, i dyshuar si i përfshirë në vrasjen e një 47-vjeçari në Kalamatë mëngjesin e së premtes.
Sipas burimeve nga mediat greke, shqiptari është ndaluar dhe po shqyrtohet nëse është një nga dy personat që udhëtonin në makinë, e cila i bllokoi rrugën motoçikletës së viktimës, përpara se njëri prej atentatorëve të dilte nga makina për ta sulmuar.
Policia ka nisur hetimet për gjetjen e të dyshuarit të dytë, ndërsa më herët makina e autorëve ndodhej në fshatin Kitries të Manit Perëndimor.
Kujtojmë se paraditen e djeshme të së premtes dy persona të panjohur të hipur në një makinë i janë afruar 47-vjeçarit i cili lëvizte me motor. Pasi i kanë bllokuar fillimisht rrugën me automjetin e tyre, më pas kanë zbritur dhe kanë nisur ta rrahin, ndërsa njëri prej tyre e ka qëlluar.
Ata u larguan nga Solonos me shpejtësi të madhe, duke lënë viktimën e tyre të mbuluar me gjak dhe të plagosur rëndë në asfalt.
Viktima njihej në rrethet e natës me pseudonimin “Amerikani”. 47-vjeçari u qëllua me armë zjarri në kryqëzimin e rrugëve Hydra dhe Solonos në qendër të Kalamatës dhe përfundoi në spital pas gjakderdhjes së pakontrolluar.
Sipas informacioneve, viktima më parë jetonte në Amerikë me vëllezërit e motrat dhe ishte kthyer në Kalamatë. Gjithashtu mësohet se ai ka pasur sjellje delikuente dhe ka qenë i përfshirë në rrjete droge gjatë natës. Nga hetimet e para rezulton se 47-vjeçari është rrahur para të shtënave nga motoçikleta nga dy personat e panjohur që hipnin në makinë.
Skenari më i mundshëm që po shikon policia është larje hesapesh për drogën.
