Policia e Shtetit ka bërë me dije se është zbardhur vrasja e Saimir Jakut.
Jaku u vra në 9 shtator të vitit 2016 në Rrëshen. Ai ishte drejtor i Tensionit të Lartë për Veriun për disa kohë, por ishte shkarkuar nga posti pak kohë para se të ndodhte ngjarja.
Pak para se të ndodhte krimi, ai kishte qenë duke pirë kafen e mëngjesit në një lokal të zonës. Autorët qëlluan me breshëri ndaj Jakut dhe janë larguar me shpejtësi pas krimit nga vendngjarja me një automjet. Në nëntor të vitit 2015 ai kishte kandiduar për kryetar të Partisë Socialiste për Rrëshenin, në një garë me Nikolin Kaçorrin dhe Bardhok Pulajn.
Në kuadër të hetimeve, bazuar në prova, porkuroria Lezhë nxorri urdhër ndalimi për shtetasin Dorian Keqi, 40 vjeç për veprën penale për vrasje në rrethana cilësuese e kryer në bashkëpunim. Ky shtetas dyshohet se e ka kryer krimin kundrejt pagesës, Porositësit dyshohet të jenë një grup kriminal i idenitifkuar”, tha në një Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë Drejtues i Parë Vehbi Bushati.
Deklarata e plotë:
Jemi sot këtu për t’ju komunikuar rezultatet e operacionit policor të koduar “GJURMA”, të zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në vitin 2016, në Mirditë, ku mbeti i vrarë një shtetas dhe u plagos një tjetër.Strukturat e Hetimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të ngjarjeve kriminale të ndodhura në qarkun Lezhë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Lezhë, si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore dhe profesionale, bënë të mundur dokumentimin me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur më datë 9 shtator 2016, në Rrëshen, ku u vra me armë zjarri shtetasi Saimir Jaku dhe u plagos shtetasi Gjergj Prenga.Si rezultat i të gjitha veprimeve hetimore të kryera dhe bashkëpunimit intensiv me Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminimet laboratorike të provave të sekuestruara në vendngjarje, si dhe marrjes së çdo dëshmie të mundshme me interes për hetimin, vlerësimit të çdo informacioni, për identifikimin e autorit/ëve dhe zbardhjen e ngjarjes, strukturat hetimore të DVP Lezhë zhvilluan operacionin policor të koduar “GJURMA”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit D. K., 40 vjeç, lindur në Kurbin dhe banues në Krujë.