ARRSH hap 6 tendera për Elbasan-Lekaj, kontrata me vlerë rreth 150 mln euro

0
53

Autoriteti Rrugor Shqiptar çeli këtë të hënë në sistemin e prokurimeve gjashtë procedura që lidhen me projektin Elbasan-Lekaj. Ky aks cilësohet i rëndësishëm pasi është pjesë e Korridorit VIII është lakuar disa herë gjatë daljeve publike të qeverisë në mbikëqyrje të punimeve të rrugës Elbasan-Qafë Thanë. Vlera e gjashtë kontratave në total llogaritet në rreth 15 mld lekë apo rreth 150 mln euro.

“Aksi rrugor Elbasan – Lekaj përshkon ultësirën e luginës së Lumit të Shkumbinit nga qyteti i Elbasanit deri në afërsi të grykëderdhjes së tij. Ky aks rrugor, në gjendjen ekzistuese kalon në rrëzë të kodrave të anës veriore të lumit deri në dalje të qytetit të Peqinit dhe vazhdon më tej në pjesën fushore në drejtim të qytetit të Rrogozhinës, ku bëhet edhe lidhja me korridorin Veri – Jug në vendin e quajtur Bishti i Zhurit. Kjo rrugë përshkon shumë qendra të banuara me ndërtime të shumta në afërsi të saj. Gjerësia e kësaj rruge si dhe kryqëzimet e shumta nuk përmbushin standardet bashkëkohore teknike dhe të sigurisë për përballimin e fluksit në rritje të lëvizjes së mjeteve. Gjatësia e rrugës është 40.7km. Rruga kalon në rajonet Elbasan (Bradashesh, Shirgjan, Gjegjan, Cërrik, Papër), Peqin (Pajovë, Shez, Gjocaj, Peqin, Karine) dhe Kavaje (Sinaballaj, Rrogozhinë)”, thuhet në dokumentet e publikuara nga ARRSH.

Sipas të njëjtave dokumente aksi i ri rrugor Elbasan – Lekaj, pjesë e Korridorit 8, do të fillojë në një pikë të përshtatshme me anashkalimin e Elbasanit, i cili është në fazën e projekt-idesë. Sipas ARRSH  rruga pritet të ketë një gjatësi të përafërt prej rreth 40km me pikë fillimi në lidhjen me anashkalimin e Elbasanit dhe pikë fundore lidhjen me nyje në disnivel në Bishtin e Zhurit ku do të kryqëzohet me korridorin Veri – Jug (Korridori Adriatiko – Jonian, segmenti Lekaj – Konjat).

“Fillimi i projektit, do të bëhet diku në afërsi të Kombinatit Metalurgjik ose Lanfill-it ku do të puqet me anashkalimin e Elbasanit. Me koordinata të përafërta sipas sistemit KRRGJSH, X=504535, Y=4550434.(saktësimi do të bëhet në koordinim me projektin Anashkalimi i Elbasanit).

– Në km 10+800, në Papër ndodhet një kryqëzim në nivel në formë T-je.

– Në km 26+800, ndodhet një urë me gjatësi prej rreth 500ml.

– Në km 33+000, kemi nyjën e hyrjes perëndimore të qytetit të Peqinit.

– Në km 38+500, nyjën e hyrjes jugore të qytetit të Rrogozhinës dhe intersektimin me Hekurudhën Rrogozhinë – Fier.

Në km 40+000 është fundi i projektit, lidhja me segmentin Lekaj – Konjat (Korridori Adriatiko – Jonian), e koordinata të përafërta sipas sistemit KRRGJSH, X=469501, Y=4548673. Rruga përshkon zonën fushore në luginën e lumit Shkumbin. Rruga kalon në rajonin e Elbasan (Bradashesh, Shirgjan, Gjegjan, Cerrik, Paper), Peqin (Pajove, Shez, Gjocaj, Peqin, Karine) dhe Kavajë (Sinaballaj, Rrogozhinë)” thuhet në dokument./ Monitor