Arsimi profesional, punësim i menjëhershëm pas diplomimit

0
277

“Në fokusin e përhershëm të politikave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, si dhe me mbështetjen e qeverisë Zvicerane, shkolla teknike elektrike Gjergj Canco, në Tiranë, është zgjedhja më e mirë për t’u integruar në tregun rajonal të punës”.

Kështu u shpreh sot ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, e cila theksoi se “arsimi profesional garanton aftësim dhe punësim në kohë reale”.

Duke u ndalur te avantazhet që ofron kjo shkollë, Denaj tha se ofrohet punësim i menjëhershëm pas diplomimit; mundësi për të vazhduar arsimin e lartë; infrastrukturë për personat me nevoja të veçanta si dhe laborator të ideve dhe talenteve të reja, që nxisin zhvillimin dhe inovacion.

Po ashtu, Denaj tha se ofrohen bursa për nxënësit nga familje me vështirësi ekonomike dhe/ose me probleme sociale, për ata me mesatare mbi 9, për vajzat në profesione jotipike, si dhe për pjesë të komunitetit rom ose egjiptian.

Shkolla teknike elektrike “Gjergj Canco” ofron degët teknologji informacioni dhe komunikimi; rrjete të dhënash; zhvillim website; mbështetje e përdoruesve të TIK; elektroteknikë e integruar me elektroteknikën; instalime elektrike civile dhe industriale.

Po ashtu ofrohen degët riparim i pajisjeve elektroshtëpiake; instalime dhe mirëmbajtje e linjava të tensionit të ulët e të lartë; telekomunikacion dhe riparim i pajisjeve elektronike. /m.m//a.a/