Alkent Pozheku, artisti dhe piktori nga Gjakova ka folur sot në një intervistë për “Ditë e re” për ekspozitën dhe punimet e tij. Pozheku realizon mozaikë me motive të ndryshme duke përdorur produkte ushqimore si misër, grurë, fasule.
Problemi më i madh për Alkentin është sigurimi i lëndës së parë, drithërave.
“Një pjesë e siguroj në tregun e Kosovës, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut e shtete të tjera të Europës”, ka thënë Alkenti.
Ai ka treguar gjithashtu se ndër shumë veprat që ka realizuar me drithëra, një ndër to është dhe protreti i presidentit ukrainas Zelenski, i realizuar së fundmi. Porteti ka ardhur si një përkrahje dhe mbështetje e Alkentit për paqen jo vetëm në Ukrainë, por në të gjithë botën.
“Mesazhi im është që asnjë popull në botë të mos ketë luftë dhe të gjithë të jetojnë në paqe. Nuk e njihja më parë Zelenskin, por puna që ai po bën për të mbajtur të bashkuar popullin e tij dhe për të udhëhequr luftën nuk është aspak e lehtë ndaj një agresori rus”, është shprehur ai.
Gjatë procesit të punës ai është hasur dhe me vështirësi teknike për realizimit e detajeve në portretin e presidentit ukrainas.
“Teknika që kam përdorur gjatë realizimit të portretit është një teknikë tjetër nga çfarë kam përdorur në punimet e mia. Në këtë rast më është dashur të bëj skicën në fillim. Gjatë mbushjes më duhet të realizoja të gjitha detajet e portretit të Zelenskit”, ka thënë Alkenti.
Vlerësim për të ka qenë prezenca, gjatë realizimit, të një fotoreporteri të agjencisë franceze AFP. Punimi i tij është publikuar dhe nga mediat ndërkombëtare duke përcjellë dhe mesazhin e Alkentit për paqe.