Asllani në dyshim, zbardhet plani i Silvinjos. Ja formacioni i mundshëm i Kombëtares kundër Moldavisë

0
202

Silvinjo ka nisur nga puna për ndeshjet e ardhshme të Shqipërisë, atë me Moldavinë në 17 nëntor dhe me Ishujt Faroe më 20 nëntor. Por jo i gjithë grupi ka qenë në gatishmëri të trajnerit brazilian në stërvitjen e djeshme, e cila ishte edhe e para.

Kristjan Asllani ka punuar i diferencuar për shkak të një shqetësimi që mendohet të jetë thjesht mbingarkesë dhe nuk dihet ende nëse mesfushori i Interit do të jetë i gatshëm për sfidën e parë. Gjithsesi, lojtari ka zhvilluar stërvitje të diferencuar dhe pritet të shihet nëse do të bashkohet me ekipin sot.

Ndërkohë në seancën e djeshme, që në fillim me Kombëtaren A është stërvitur mesfushori i Shpresave Medon Berisha, por gjithsesi në rast se Asllani ka shqetësime deri në ndeshjen me Moldavinë, Silvinjo ka gati Keidi Baren, i cili pritet ta nisë nga fillimi në krah të Ylber Ramadanit.

NDRYSHIMI NË LISTË

Ka një ndryshim në listën e Kombëtares për dy ndeshjet e fundit të kualifikueseve. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se mbrojtësi Arlind Ajeti nuk do të jetë i gatshëm për këto dy sfida për shkak dëmtimi.

Futbollisti është dëmtuar gjatë ndeshjes së fundit në kampionatin rumun me Kluzh, por është paraqitur që mbrëmë në grumbullimin e Kombëtares, duke iu nënshtruar kontrolleve mjekësore.

Pas rezonancës magnetike është konkluduar se Ajeti ka një dëmtim në muskujt e pasmë të kofshës së majtë dhe ka nevojë për disa ditë pushim para se të nisë rikuperimin.

Në këto kushte, trajneri Silvinjo ka vendosur të thërrasë për këto dy ndeshje mbrojtësin Jon Mersinaj, i cili është bashkuar me skuadrën mbrëmjen e djeshme. Po ashtu në mbrëmje kanë mbërritur edhe Etrit Berisha, Mario Mitaj, Elhan Kastrati dhe Mirlind Daku.