Një atentat i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në mes të qytetit të Athinës në Greqi. Vangjelis Zabunis, 44 vjeç është ekzekutuar nga autorë ende të paidentifikuar.
Zabunis konsiderohej një nga kokat më të mëdha të mafies në shtetin helen, i përfshirë në kontrabandë karburantesh, pijesh alkoolike si dhe gjobvënie të ndryshme. Dyshohet se në atentat kanë marrë pjesë 3 veta.
Pas krimit, policia greke gjeti një makinë të braktisur në dalje të Athinës, e cila dyshohet të jetë përdorur nga autorët. Ndaj Zabunis është tentuar edhe një atentat disa vite më parë, por ai shpëtoi pasi autorit iu bllokua arma në momentin e qitjes.
Kësaj here qitësit nuk gabuan dhe madje u siguruan mirë që Zabunis të humbiste jetën duke e qëlluar me mbi 80 plumba. Ngjarja në mes të kryeqytetit grek ka tronditur mjaft opinionin atje, ndërsa policia vazhdon kërkimet për autorët e vrasjes.